“Portet shqiptare të hapura për trafikun e drogës”/ Berisha detaje nga vizita në Strasburg: I paralajmëruam për rrezikun e Europës nga Rama, padrino i karteleve të drogës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë sot detaje nga vizita e tij në Strasburg, gjatë një deklarate për mediat në selinë blu.
Ai theksoi se ditët e qëndrimit në Strasburg janë shfrytëzuar për të denoncuar me forcën më të madhe, përmes fakteve dhe dokumenteve, situatën që sipas tij është dramatike në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një “narko-shtet” dhe nën një “diktaturë autoritare”.
Sipas Berishës, në takimet me Grupin Parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe gjatë seancave plenare të Asamblesë Parlamentare, është paraqitur rreziku që, sipas tij, qeveria shqiptare e drejtuar nga kryeministri Edi Rama përbën jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për mbarë Europën.
“U ktheva mbrëmë pas një qëndrimi si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe një aktiviteti intensiv në tempullin e demokracisë evropiane.
Ditët e qëndrimit në Strasburg u përdorën për dënimin me forcën më të madhe, për paraqitjen e fakteve, dokumenteve mbi situatën dramatike në narko-shtetin e Shqipërisë.
Diktaturën autoritare në Shqipëri!
Në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në seancat plenare të Asamblesë Parlamentare, siç mund t’i keni ndjekur, paraqitëm rrezikun e madh që organizata kriminale qeveri shqiptare, e kryesuar nga Edi Rama paraqet jo vetëm për shqiptarët, por paraqet për mbarë Europën.
Ne, informuam dhe paralajmëruam të pranishmit se Edi Rama përbën një rrezik madhor për vendet e tyre pasi ai është padrino sot i karteleve më të fuqishme të drogës në Europës, të cilat eksportojnë drejt Europës, zënë vendin e parë në eksportin drejt Europës të marijuanës, janë aksionerët më kryesorë në tregun e kokainës dhe heroinës.
Janë transportuesit më kryesorë të drogës nga Amerika Latine në portet e kontinentit evropian dhe kanë për porte të lira të gjitha portet e Shqipërisë.
Informuam për qindra e qindra leje, hotele, resorte turistike, kulla korrupsioni dhe droga të dhëna pas zgjedhjeve të 11 majit nga Edi Rama si shpërblim për pjesëmarrjen e gjerë të tyre në zgjedhje”, tha ai.
© BalkanWeb