Presion mbi Zelenskyn për të shkarkuar shefin e stafit, Andriy Yermak
Volodymyr Zelensky do të përballet me median në Ankara menjëherë pas takimit të tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Megjithatë, presidenti ukrainas nuk ka mbërritur në Turqi vetëm. Si zakonisht, Andriy Yermak, i cili ka drejtuar zyrën e presidentit për pesë vjet, është pjesë e delegacionit të tij.
Por, ndërsa Zelensky po përballet me një skandal korrupsioni brenda qeverisë së tij, presioni mbi të po rritet gjithashtu për të shkarkuar shefin e tij të fuqishëm të stafit.
Presioni po vjen nga brenda partisë së Zelenskyt, raportojnë media të huaja, duke cituar zyrtarë të lartë ukrainas dhe burime nga brenda partisë. Disa prej tyre sugjeruan se ish-producenti i filmave 53-vjeçar mund të shkarkohet që sot, megjithëse nuk ka prova për këtë.
Kjo pasi që kundërshtarët e Yermak janë përpjekur ta lidhin atë me skandalin e korrupsionit – ai mohon çdo lidhje të tillë. Ata gjithashtu e fajësojnë atë për rolin e tij në përpjekjen e dështuar të Zelenskyt për t’i hequr autoritetit kombëtar të korrupsionit pavarësinë e tij.
Por pakënaqësia nga rivalët e Yermak shkon më thellë se kaq dhe bazohet gjithashtu në fuqinë e madhe të vendimmarrjes dhe mbikëqyrjes që zyrtari i pazgjedhur ka tanimë në Kiev, thonë raportet.
Me sa duket i pashqetësuar nga thashethemet, Yermak postoi sot në kanalin e tij Telegram se kishte mbërritur në Turqi dhe ishte “në kontakt të vazhdueshëm” me qeverinë amerikane me qëllim arritjen e paqes.
Ndërkohë, Parlamenti i Ukrainës ka miratuar dorëheqjet e dy ministrave pas një hetimi të madh për korrupsion. Deputetët ukrainas votuan sot për të shkarkuar ministrin e drejtësisë German Galushchenko dhe ministren e energjisë Svitlana Hrynchuk.
Dyshja kishte paraqitur dorëheqjet e tyre saktësisht një javë më parë pasi Volodymyr Zelensky i nxiti ata ta bënin këtë. Galushchenko është nën hetim të drejtpërdrejtë nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në lidhje me rastin, i cili është i përqendruar në sektorin e energjisë të vendit.
Ai shërbeu si ministër i energjisë nga viti 2021 deri në vitin 2025, me Hrynchuk që mori përsipër këtë rol këtë verë.Si Galushchenko ashtu edhe Hrynchuk mohojnë të kenë bërë ndonjë shkelje.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

