“Prokurorët dhe gjyqtarët po përballen me kërcënime serioze”, Shehaj: Kryeministri po sulmon drejtësinë në kohën kur GJK duhet të vendosë për Ballukun
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dënuar publikisht ato që i ka cilësuar si sulme të kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë dhe SPAK, gjatë një konference për mediat të mbajtur nga Kryesia e Kuvendit.
Shehaj deklaroi se prokurorë dhe gjyqtarë janë duke u përballur me kërcënime serioze, përfshirë edhe kërcënime për jetën, ndërsa sipas tij, kryeministri Rama vijon me gjuhë denigruese dhe kërcënuese ndaj tyre. Ai e cilësoi këtë sjellje si të papranueshme dhe si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor.
Në deklaratën e tij, Shehaj u ndal edhe te Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij prej javësh ka shtyrë marrjen e një qëndrimi për çështjen që lidhet me Belinda Ballukun, e akuzuar për shpërdorim fondesh publike. Ai e cilësoi këtë vonesë si shqetësuese në kontekstin e presioneve politike ndaj drejtësisë.
Sipas kreut të Partisë Mundësia, sulmet ndaj SPAK dhe drejtësisë nuk vijnë vetëm nga kryeministri, por edhe nga ministra, deputetë të mazhorancës dhe media pranë qeverisë. Ai hodhi poshtë pretendimet se SPAK arreston zyrtarë pa gjyq, duke i cilësuar këto deklarata si shpifje që synojnë të minojnë punën e prokurorëve për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë.
Shehaj u bëri thirrje ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri dhe përfaqësuesve diplomatikë, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së, që të vijojnë mbështetjen për drejtësinë dhe të reagojnë ndaj sulmeve politike ndaj saj.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë mbështesin luftën kundër korrupsionit dhe se nga suksesi i kësaj lufte varet e ardhmja e vendit. Në këtë kuadër, Shehaj njoftoi se janë mbledhur 50 mijë firma në mbështetje të drejtësisë, të cilat do t’i dërgohen Kongresit Amerikan, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve partnere.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin hapur në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë si një detyrë qytetare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të brezave të ardhshëm.
© BalkanWeb