Radio policie, jelekë antiplumb e municione luftarake/ Detaje nga arrestimi i “të fortëve” në Dobraç dhe Fushë Kuqe, ishin fshehur në…
Policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionet në Fushë Kuqe dhe Dobraç ku u arrestuan Elvin Merlika dhe Alket Xhixha.
Dy të shumëkërkuarit ishin fshehur në një vilë pranë lumit, ndërsa me vete iu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
Njoftimi:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin së shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”.
Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht:
A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe
E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”;
“Grup i strukturuar kriminal”;
“Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje.
Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.
Vazhdon puna për dokumentimin dhe gjetjen e provave të tjera.
© BalkanWeb