“Rama nuk dorëzon imunitetin e Lubi Ballukut, sepse dorëzon veten”, Berisha: Meriton të dergjet burgjeve për 40 vite!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama se po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke refuzuar, sipas tij, dorëzimin e imunitetit të saj, në një kohë kur SPAK kërkon arrestimin e saj.
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se Rama nuk do të pranojë kurrë heqjen e imunitetit të Ballukut, pasi sipas tij, një veprim i tillë do të sillte edhe rënien e imunitetit të vetë kryeministrit. Ai e akuzoi Ramën për përfshirje në afera korruptive, duke deklaruar se po bën gjithçka për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Edi Rama nuk do pranojë kurrë të heqë imunitetin e Lubi Ballukut. Dhe kjo vetëm e vetëm se ai dorëzon në atë moment edhe imunitetin e tij. Dhe ai është i gatshëm me çdo çmim të mbrojë, sepse i takon të dergjet burgjeve, ndoshta për 30-40 vite me aferat e tij korruptive”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu ashpër sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, të cilën e cilësoi si të degraduar dhe të kapur nga pushteti. Sipas Berishës, vendimet dhe qëndrimet e saj përbëjnë një nga momentet më të turpshme në historinë e drejtësisë shqiptare.
“Gjykata Kushtetuese është shndërruar në parzmoren e fundit të plaçkitësve në Shqipëri,” u shpreh Berisha, duke theksuar se Rama po e përdor atë për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar.
Ai deklaroi se imuniteti i Belinda Ballukut nuk do të hiqet nga qeveria, por nga populli shqiptar, duke paralajmëruar se, sipas tij, zemërimi qytetar po rritet dhe do të sjellë reagim të fortë.
“Zemërimi po vlon në zemrat dhe shpirtin e shqiptarëve. Nuk do t’i shpëtojnë popullit të zemëruar,” përfundoi Berisha.
© BalkanWeb