Rama: Shqipëria me qasje të hapur ndaj informimit. Kryeministri me partnerë europianë: Jemi mbi mesataren rajonale
schedule10:51 – 16 Dhjetor, 2025
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën e VII për të Drejtën e Informimit.
Një në tryezë të përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve europianë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias, Rama deklaroi se Shqipëria ka qasje të hapur ndaj informimit.
Rama shtoi se sipas rezultateve të SIGMA-s, vendi ynë qëndron mbi mesataren rajonale.
“Do të doja të sillja në vëmendjen opinionin e një autoriteti, që është i pakontestueshëm, që është SIGMA. Në vlerësimin e SIGMA-s, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare, Shqipëria ka një arkitekturë për transparencën. Rezultati është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik. Ndërkohë që, duke iu referuar indeksit të transparencës, Shqipëria ka bërë kapërcim prej rreth 5 përqind. Mesatarja e përgjithshme globale është 62 përqind dhe ajo rajonale 68 përqind. Shqipëria është 10 pikë përqindje mbi mesataren rajonale. Pavarësisht progresit të bërë, po të shikojmë më lart, jemi poshtë. Sa më poshtë të shohim, jemi lart. Duhet të ngremë vendin më lart. Në këtë aspekt, dua të them disa gjëra konkrete. Jam dakord që qasja e hapur nuk është kërcënim. Realisht, mendoj që ngurrimi për të ndarë me këdo qoftë që i kërkon informacionet që janë fakte administrative, është absurd. Dëmton më shumë se sa mbron. Krijon edhe një sens dyshimi edhe një atmosferë konspiracioni. Këtë e kemi diskutuar edhe me komisionerin. Duhet të ketë fokus më të madh në këtë aspekt. Ne kemi shtyrë përpara edhe projektin “Transparent Albania”, është projekt ambicioz. Kjo do të lehtësonte ndërveprimet me të gjithë kërkuesit e informacionit dhe institucioneve. Kjo është e përmirësueshme. I kam bërë komisionierit një vërejtje, që është mungesa e sanksioneve për autoritetet e larta. Nëse kjo do ndodhë, do ketë ndjesi urgjence, me të cilën punon sektori i gotës gjysmë bosh. Duhen vendosur sanksione”, theksoi ai./abcnews.al