Raporti i UNICEF: 417 milionë fëmijë në mbarë botën jetojnë në varfëri
Në mbarë botën, 417 milionë fëmijë vazhdojnë të jetojnë në varfëri multidimensionale, të privuar nga të paktën dy nevoja themelore si ushqyerja, strehimi apo higjiena. Të dhënat vijnë nga raporti i ri i UNICEF-it, “Gjendja e Fëmijëve në Botë 2025: Fundi i Varfërisë së Fëmijëve – Imperativi ynë i Përbashkët”, i publikuar sot me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Raporti mbështetet në të dhëna nga mbi 130 vende dhe analizon privimet në gjashtë fusha kryesore: arsim, shëndetësi, strehim, ushqyerje, kanalizime dhe ujë. Sipas studimit, 118 milionë fëmijë përjetojnë tre ose më shumë privime, ndërsa 17 milionë vuajnë mungesën e të paktën katër nevojave bazë.
Varfëria më e theksuar është e përqendruar në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore. Edhe pse përqindja e fëmijëve me privime të rënda ka rënë nga 51% në vitin 2013 në 41% në vitin 2023, UNICEF paralajmëron se progresi po ngadalësohet për shkak të konflikteve, krizës klimatike, borxhit publik në rritje dhe pabarazive teknologjike. Situata rëndohet edhe nga shkurtimet e konsiderueshme në Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (ODA).
Raporti shqyrton edhe varfërinë monetare: mbi 19% e fëmijëve në botë jetojnë në varfëri ekstreme, me më pak se 3 dollarë në ditë. Pothuajse 90% e tyre ndodhen në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb