Reformë ne tekstet shkollore/ Synohet të jenë më të thjeshta dhe të nxisin mendimin kritik
schedule15:36 – 10 Dhjetor, 2025
Arsimi parauniversitar do të ndryshojë tërësisht kurrikulën mësimore. Reforma do të nisë shtatorin e vitit të ardhshëm me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, duke vijuar më pas çdo vit deri në 2029. Tekstet shkollore synohet të jenë më të thjeshta, të nxisin mendimin kritik dhe të zbehin të mësuarin përmendësh.
“Koncepte më inovative në tekst, më shumë veprimtari praktike, më shumë bazë eksperimentale, zgjidhje apo mendim kritik, disa aspekte të mendimit socioemocional të qenit më empatik. Një risi që do shoqërojë jo vetëm tekstet dhe programet mësimore, në kurriulën e re do të jetë dhe projekti ndërkurrikular, pra nëpërmjet matematikës të mësojmë jo vetëm në matemitikë, por dhe ku ajo gërshetohet me lëndë të tjera.”
Në hartimin e kurrikulës së re të arsimit parauniversitar sipas drejtuesit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë janë përfshirë rreth 200 pedagogë të fushave të ndryshme. Në lëndën e gjuhës shqipe, letërsisë, historisë e gjeografisë përforcohen temat e identitetit kombëtar. Ndërsa në lëndët e shkencave ekzakte do të hyjnë metodat e reja edhe të teknologjisë së informacionit.
“Pothuajse të gjitha temat që kanë të bëjnë me vetëdijen kombëtare, integrimin europian, edukimi digjital, siguria kibernetike, do të jenë tashmë pjesë e përditësimit të kurrikulave dhe teksteve.”
Reformimi i kurrikulave në arsimin parauniversitar vjen pas rreth 14 vitesh dhe paralelisht me ndryshimin e saj do të trajnohen dhe mësuesit. Rreth 20 mijë mësues do të trajnohen nga pedagogë të universiteteve duke nisur nga janari i vitit që vjen./abcnews.al