Reijnders beson te përmbysja: Jemi mjaft të sigurt se mund ta kapim Arsenal
16 Janar 2026
8:29
Telesport
Mesfushori holandez Tijjani Reijnders, i ardhur verën e kaluar në Premier League, në një intervistë për “The Times”, foli për sezonin e deritanishëm me Manchester City: “Jemi mjaft të sigurt se mund ta kapim Arsenal”.
“E them këtë gjë me sinqeritet. Të gjithë ndiejmë se jemi përmirësuar shumë këtë sezon dhe kjo është një shenjë e mirë. Ndihemi sikur nuk e kemi arritur ende kulmin tonë“, deklaroi mesfushori i “citizens”.
Lidhur me derbin ndaj United, Reijnders rrëfeu përvojën e tij në derbin e Milanos si lojtar i Milan, duke zbuluar se ai solli një pjesë të asaj përvoje në derbin e tij të parë të Manchester.
“Gjithçka në lidhje me derbin e Milanos ishte intensive. Gjithçka në lidhje me përgatitjen, përvoja, ishte shumë intensive”, kujtoi Reijnders.
“Do ta përdor këtë përvojë këtë javë përpara ndeshjes me Manchester United. Do të përpiqem të mbaj një profil të ulët këto ditë. Manchester United do të jetë i mbushur me energji nga ndryshimi i trajnerit”, tha mesfushori.
Në fund, Reijnders deklaroi: “Ata kanë pasur shumë ndryshime dhe lojtarët e tyre do të duan t’u vërtetojnë diçka tifozëve të tyre, kështu që duhet të jemi gati. Nuk mund t’i nënvlerësojmë vërtet.“