Reshjet e shiut shkaktojnë probleme në Dimal, uji futet në 7 banesa, përmbyten toka bujqësore
Reshjet e shiut kanë vijuar në territorin e qarkut Berat nga ora 23:00 e mbrëmjes së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 20 nëntor 2025, me intensitet të ulët deri mesatar. Niveli i lumit Osum në qytetin e Beratit është regjistruar në 3.71 metra, ndërsa në pikëmatjen e Çorovodës ka arritur në 2.33 metra. Pavarësisht rritjes së nivelit, nuk janë raportuar dalje të lumit nga shtrati në qytetin e Beratit, por në Njësinë Administrative Velabisht, në fshatin Veterrik, vijon prezenca e ujit në rreth 80 hektarë ullishte dhe toka bujqësore, për shkak të mos tërheqjes së lumit që nga dita e djeshme. Në fshatin Moravë, një banesë ndodhet ende nën ujë.
Në bashkinë Dimal, në zonën e quajtur Dafinat, prezenca e ujit ka prekur pesë banesa në katet e para, ndërsa dy banesa të tjera në fshatin Çiflik janë raportuar me të njëjtin problem. Janë marrë masa për garantimin e sigurisë së banorëve. Në fshatrat Arrës dhe Çiflik është shënuar dalje e lumit nga shtrati, çka ka shkaktuar përmbytjen e rreth 13 hektarëve tokë bujqësore.
Ndërkohë, në bashkinë Poliçan është shënuar përmirësim i situatës në fshatrat Bregas dhe Vodiçë, ku ujërat janë në tërheqje. Sa i përket kalueshmërisë së rrugëve, nga Salla e DVP është raportuar prezencë gurësh dhe inertesh në aksin Berat–Poliçan, në vendin e quajtur Çezma e Thatë. Kontraktori “2T shpk” është njoftuar për pastrimin e segmentit, ndërsa po kryhet kontroll i plotë i rrugës deri në Çorovodë. Autoritetet njoftojnë se vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në komunikim të vazhdueshëm.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb