Rikthehet Liga e Kombeve, Shqipëria në vazon e parë
Viti 2026 pritet të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë duke qenë se do të luajë “Play Off” e Kupës së Botës, e më pas do të ketë Botërorin nëse kuqezinjtë kualifikohen. Nëse jo, përqendrimin më të madh do ta ketë padyshim Liga e Kombeve, aty ku Shqipëria dështoi herën e fundit me Silvinjon.
VAZOT- Kombëtarja do të marrë pjesë në Ligën C të edicionit 2026/27 të “UEFA Nations League”, teksa është pozicionuar në vazon e parë për shortin e fazës së grupeve. Shorti zyrtar do të hidhet më 12 shkurt në Bruksel, ndërsa tashmë është bërë e ditur ndarja e vazove. Pozicionimi në vazon e parë e vendos Shqipërinë mes përfaqësueseve me koeficientin më të lartë të kësaj lige, së bashku me ekipe si Islanda, Mali i Zi dhe Kazakistani. Ndërkohë, në vazot e tjera janë përfshirë përfaqësuese si Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Moldavia, Estonia dhe San Marino, si edhe fitues të ndeshjeve “play off” mes Ligës C dhe D.
OBJEKTIVIT- Në Ligën C, skuadrat janë të ndara në grupe, ku secila përballet me rivalët e saj me sistem vajtjeardhje. Sipas rregullores së UEFA-s, skuadrat që mbyllin grupin në vendin e parë sigurojnë ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendet e dyta mund të përfshihen në fazën e “play off”-it, në varësi të formulës përfundimtare të edicionit. Në këtë kuadër, Shqipëria hyn në short me synimin për të qenë konkurruese në grupin e saj dhe për të luftuar për pozicionet e sipërme të renditjes, në përputhje me objektivat afatmesëm të federatës dhe stafit teknik. Liga e Kombeve mbetet një kompeticion me peshë të veçantë për kombëtaret europiane, jo vetëm për shkak të ngjitjes ose rënies nga një ligë në tjetrën, por edhe për ndikimin që ka në renditjen e UEFA-s dhe në mekanizmat alternativë të kualifikimit për turnetë madhorë. Për Shqipërinë, edicioni 2026/27 përfaqëson një tjetër mundësi për të konsoliduar pozicionin e saj në këtë kompeticion dhe për të ndërtuar vazhdimësi në nivel ndërkombëtar. Kuqezinjtë kanë shansin e artë të mbyllin këtë Ligë në vendet e para dhe për të synuar më pas kualifikimin në Europian edhe nëpërmjet Ligës së Kombeve duke qenë një rrugë më e shkurtër për të shkuar në Europian.
SEZONI I FUNDIT- Në sezonin e shkuar të Ligës së Kombeve, Shqipëria dështoi duke u renditur e fundit në Ligën B, aty ku në fakt kishte një grup jo shumë të fortë duke ditur emrat që mund të jenë. Kuqezinjtë ishin në një grup me Çekinë, të cilën Shqipëria e mundi në kualifikueset e Europianit, Ukraninën dhe Gjeorgjinë. Paraqitjet e Shqipërisë, ishin zhgënjyese ku veç rezultateve negative që pësuan, ranë edhe në Ligën C, teksa Silvinjo nuk e preferoi këtë kompeticion për të provuar të rinj, duke i dhënë të gjithë hapësirën lojtarëve që kishin luajtur më parë në kualifikueset e Europianit dhe në Europian., pa mundur të fitojmë lojtarë të rinj për kualifikueset e fundit për të Kupën e Botës.
© BalkanWeb