Rikthimi në detyrë i Ballukut/ Rama: U eliminua një precedent unik në botë. U shmang një brutalitet ‘alla shqiptarçe’
Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë episodit të fundit të podcastit të tij “Flasim”.
Rama e cilësoi pezullimin si një precedent të pazakontë dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, u ushtrua ndikimi mbi pushtetet e tjera të shtetit, duke e përshkruar si një “brutalitet alla shqiptarçe” që rrezikon funksionimin demokratik dhe stabilitetin ndërinstitucional të vendit.
“Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zv. Kryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.
Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional.
Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht.
Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatesit për të rritur pagat e tyre”, tha kryeministri Edi Rama.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë në detyrë zv.kryeministren njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Me shumicë votash mbledhja e gjyqtarëve vendosi të ngrijë vendimin e “pezullimit të ushtrimit të një detyre” të ndërmarrë nga Gjykata e Posaçme në datën 20 nëntor./abcnews.al