Rivaliteti i “të artëve”/ Balaj, Tetova dhe Bregu kërkojnë suksesin ekipor, pas atyre personalë
schedule13:29 – 16 Dhjetor, 2025
Të gjithë të lumtur dhe me trofe në duar. Por pas sukseseve personalë, menjëherë pas ceremonisë së “Topit të Artë” shqiptar, rivaliteti për triumfin ekipor në Kategorinë Superiore nxjerr sërish krye, mes urimit dhe dëshirës për të fituar nga vetë protagonistët.
Bekim Balaj fitoi “Topin e Artë” dhe “Këpucën e Artë”, por sulmuesi dhe kapiteni i Vllaznisë është gati t’i shkëmbejë me suksesin e skuadrës. Por shkodranët duhet të mundin rivalitetin e fortë të kundërshtarëve, mes tyre Egnatia, kampione në fuqi. Trajneri i saj, Edlir Tetova, i zgjedhur sërish si më i miri i vitit, nuk do të ndalet këtu.
Mes fituesëve të mbrëmjes së futbollit shqiptar ishte edhe Devi Bregu. Ai u zgjodh si pjesë e “Skuadrës së Vitit”, por objektivat e tij me Dinamo City deri në fund të 2025 janë të mëdha.
Kategoria Superiore ka edhe dy ndeshje në program deri në fund të 2025, ndërsa një takim i rëndësishëm është finalja e Superkupës së Shqipërisë me 28 dhjetor.