Rodri shpërthen ndaj arbitrave: Kemi fituar shumë, ndaj duan të na pengojnë
2 Shkurt 2026
11:49
Alfred Lleshi
Manchester City po fitonte 0-2 ndaj Tottenham-it, por londinezët barazuan në pjesën e dytë, pas një episodi shumë polemik që shpërtheu zemërimin e kapitenit Rodri. Goli i parë i “Spurs” erdhi pasi Dominic Solanke goditi këmbën e Marc Guéhi, jo topin, dhe VAR nuk e anuloi. Rodri deklaroi: “Ka faull të qartë në aksionin e parë. VAR është aty për një arsye. Këto detaje të vogla bëjnë diferencën. Nëse nuk do të kishin shënuar atë gol, ndoshta do të kishim fituar”.
Mesfushori shtoi: “Nuk flas zakonisht për arbitrat, i respektoj, por duhet t’iu kushtojnë vëmendje rasteve të tilla. Nuk ndodhi vetëm sot, ka dy-tri ndeshje radhazi. Nuk e di pse, ndoshta sepse kemi fituar shumë dhe njerëzit nuk duan që të fitojmë. Arbitri duhet të jetë neutral”.
Rodri e konsideroi të padrejtë golin: “Faulli ishte i qartë. Kjo ligë vendoset nga detajet, ndaj nuk është e drejtë të mbyllen sytë para faulleve të tillë. Ishte një ditë e vështirë për ne”.