Rosenior: Ky Chelsea nuk do të dorëzohet kurrë, i di mirë problemet ku duhet të punojmë
15 Janar 2026
9:29
Telesport
Trajneri i Chelsea, Liam Rosenior, pavarësisht humbjes 2-3 që skuadra e tij pësoi ndaj Arsenal në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup, është i kënaqur me të tijtë. Prej vetëm një jave në detyrë, ai shprehet se skuadra është ende në garë për të kapur finalen.
“Kërkova energji, presion, vrapim dhe ndihmë për ekipin. Jam shumë i lumtur me këtë anë që tregoi skuadra. Nuk jam i kënaqur me rezultatin dhe nuk jam i kënaqur me mënyrën se si pësuam golat. Por lojtarët nuk u dorëzuan dhe ne jemi ende në garë”, tha Rosenior.
“Duhet të jemi më të fortë në momente të caktuara dhe do të punojmë për këtë. Të pësosh dy gola nga rifillimet nuk është e pranueshme edhe pse shënuam vetë një gol të tillë. Kjo është një nga problemet që duhet ta eliminojmë në të ardhmen”, shtoi trajneri i Chelsea.
Më tej, Rosenior tha: “Kam qenë vetëm me ekipin për gjashtë ditë, por duam të fitojmë ndeshje tani. Kështu që duhet të mësojmë shpejt, por jemi ende në lojë me këtë rezultat. Ky ishte vetëm akti i parë edhe pse do të jetë shumë e vështirë”.
“Kemi katër ndeshje para sfidës së kthimit, por mezi pres atë ndeshje sepse do të më tregojë edhe më shumë për skuadrën time. Nëse tregojmë të njëjtën luftë, intensitet e cilësi si dhe nëse aktivizohemi në momente kyçe, kemi ende një shans për të kaluar tutje“, tha Rosenior.