Rrëfehet Amorim: Jam personi që vuan më shumë nga humbjet e Manchester United
15 Dhjetor 2025
13:19
Telesport
Trajneri Ruben Amorim, në prag të ndeshjes së sotme ndaj Bournemouth në Premier League, u shpreh se është personi që vuan më shumë së kushdo nga humbjet e skuadrës së tij Manchester United.
Portugezi i mbijetoi një sezoni të vështirë vitin e kaluar, ku “djajtë e kuq” u renditën në vendin e 15-të, pozicioni më i ulët në historinë e tyre në Premier. Madje ata humbën edhe në finalen e Europa League.
Këtë sezon, fati është përmirësuar pak, por gjithsesi, një seri prej dy fitoresh në gjashtë ndeshje do të thotë që Amorim ende përballet me kritikë të ashpër pavarësisht se ndodhet në vendin e gjashtë.
Në një intervistë, Amorim zbuloi se nuk do t’i kalonte Krishtlindjet me fëmijët e tij në mënyrë që të ruante përqendrimin te United. I pyetur nëse forma e ekipit të tij e shqetëson kur kthehet në shtëpi, Amorim pranoi se për të është e vështirë.
“Derisa të jem këtu, unë jam personi që vuan më shumë me humbjet dhe barazimet e Manchester United, besoni ose jo. Mendoj se kjo është normale,” tha Amorim.
“Dua të jem në gjendje të ndryshoj gjërat dhe të përpiqem të bëj gjithçka që kam thënë. Nuk mund të premtosh rezultate, por ndonjëherë bëhet më e vështirë të mos mendosh për futbollin në shtëpi. Sepse mendon se unë mund të jem në atë nivel”, tha Amorim.