Rreth 4 orë paralizim i qarkullimit! Shkëmbinjtë në aksin Librazhd-Prrenjas kthehen në makth për fëmijë dhe të moshuar
Situata në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas vijon të jetë problematike, veçanërisht në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës, ku prej orësh qarkullimi është i bllokuar.
Dhjetëra automjete kanë mbetur të izoluar në trafik, ndërsa mes tyre ndodhen fëmijë dhe të moshuar, të cilët po përballen me kushte të vështira për shkak të temperaturave të ulëta dhe pritjes së zgjatur.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se bllokimi është shkaktuar nga rrëshqitje gurësh dhe vështirësi në qarkullim, duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve në të dyja drejtimet. Drejtuesit e automjeteve raportojnë mungesë informacioni dhe vonesa të gjata, ndërsa shqetësimi rritet për personat më vulnerabël, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit.
Autoritetet janë njoftuar për situatën dhe pritet ndërhyrja për normalizimin e qarkullimit, ndërkohë që u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks rrugor deri në përmirësimin e kushteve. Banorët dhe udhëtarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë, pasi çdo minutë e kaluar në trafik rëndon më tej situatën humanitare në këtë segment rrugor.
© BalkanWeb