Rrëzohet kërkesa e PD/ Nuk ka interpelancë me Ramën, Peleshi: Çështja në Kushtetuese
Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me pezullimin nga GJKKO, të zv.kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi deklaroi se çështja është në duart e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, duhet pritur vendimi nga ana e gjykatës.
Pasi tre gjyqtarët nuk arritën unanimitet të martën për të vendosur kalimin apo rrëzimin e padisë së kryeministrit për cështjen Balluku, Gjykata Kushtetuese shtyn me mbi një javë Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Kjo mbledhje qe pritej të mbahej të enjten e kësaj jave, është shtyrë për të premten e javës së ardhshme, datë 12 dhjetor.
Arsyet e shtyrjes janë disa, siç ka njoftuar zyrtarisht Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj”
Kreu i qeverisë e ka cuar padinë më 21 nëntor dhe Gjykata Kushtetuese në mbledhjen e datës 12 do të duhet të vendos për fazën e parë të saj; nëse do e pranojë për ta shqyrtuar në themel në vijim apo do të rrëzojë atë.
Gjyqtarët kushtetues kanë kërkuar kohë, duke e argumentuar këtë me kompeksitetin e çështjes dhe volumit të materialeve të dosjes.
Po në mbledhjen e së premtes, nëse gjyqtarët vendosin se çështja është objekt me natyrë kushtetuese, do të duhet të marrin vendim dhe për kërkesën tjetër; atë të heqjes së pezullimit për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku./abcnews.al