Rriten tensionet SHBA-Venezuelë/ USS Gerald R. Ford shfaqet në Karaibe, sulme ajrore dhe akuza për “agresion”
Tensione mes autoriteteve tajlandeze dhe Kamboxhias. Kjo e fundit akuzohet se ka vendosur armatim në një zonë të diskutueshme pranë provincës bregdetare të Trat-it, duke e konsideruar këtë si shkakun kryesor të rinisjes së përleshjeve përgjatë kufirit. Hun Sen, kryetar i Senatit, deklaroi se forcat kamboxhiane u përgjigjën ushtarakisht pasi kishin treguar durim 24 orë. Ai akuzoi Tajlandën për shkelje të marrëveshjeve të arritura muajt e fundit. Përplasja e tanishme lidhet me një konflikt të vjetër, të rrënjosur në kufijtë e përcaktuar gjatë periudhës koloniale franceze. Të dy shtetet pretendojnë disa tempuj dhe zona historike përgjatë vijës së sotme kufitare, çka ka qenë prej vitesh burim tensionesh.
Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, theksoi se ushtria “do të mbrojë sovranitetin kombëtar” dhe mohoi mundësinë e një tërheqjeje të menjëhershme nga zonat e përfshira. Duke komentuar situatën gjatë një mitingu, Donald Trump tha: “Kam zgjidhur tetë luftëra, përfshirë atë mes Tajlandës dhe Kamboxhias, e cila ka nisur sërish sot. Nesër do t’i telefonoj. Kush tjetër mund të bëjë një telefonatë dhe të zgjidhë një luftë?”. Në Karaibe po shfaqen shenja të një përshkallëzimi të rrezikshëm, raporton Sky News, ndërsa aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, është parë në ujërat e rajonit, e shoqëruar nga një flotë e gjerë forcash detare dhe ajrore amerikane. Sipas rrjetit britanik, pozicionimi i saj konsiderohet pjesë e një operacioni të gjerë që Venezuela e interpreton si kërcënim të drejtpërdrejtë.
Në javët e fundit, SHBA-të kanë shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Karaibe, me bombardues që kanë fluturuar edhe pranë brigjeve venezueliane. Presidenti Nicolas Maduro deklaroi se vendi i tij ka kaluar “22 javë agresioni” nga Shtetet e Bashkuara dhe Donald Trump, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet. Sipas analizës së Sky News, që prej fillimit të shtatorit SHBA ka kryer 22 sulme ajrore duke goditur 23 anije, të cilat Pentagoni i ka përshkruar si mjete të përdorura nga “narko-terroristë” që transportonin fentanil drejt SHBA-ve. Deri tani, raportohet se 87 persona janë vrarë në këto operacione.
Sulmi më i fundit ndodhi më 4 dhjetor, kur Komanda Jugore njoftoi shkatërrimin e një tjetër anijeje në Paqësorin lindor. Ky ishte sulmi i parë pas 15 nëntorit, periudhë gjatë së cilës Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u përball me kritika dhe hetime të brendshme mbi një “sulm të dytë” të dyshuar ndaj njerëzve që ndodheshin tashmë në ujë dhe që, sipas kritikëve, nuk paraqitnin kërcënim. SHBA i justifikon sulmet me luftën kundër trafikimit të drogës. Republika Dominikane ka deklaruar se ka rikuperuar një sasi të madhe kokaine nga një prej anijeve të goditura. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe ekspertë ligjorë, kanë ngritur pikëpyetje serioze për legalitetin e operacioneve. Diskutimi kryesor lidhet me faktin nëse personat në bord mund të kategorizohen si objektiva të ligjshëm ushtarakë, apo nëse bëhet fjalë për vrasje pa gjyq në ujëra ndërkombëtare. Videoja e njërit prej sulmeve, e analizuar nga Sky News, tregon shkatërrimin e anijes, por jo momentet pas goditjes, ku dyshohet se është kryer një sulm i dytë. Hegseth ka deklaruar se në momentin e lëshimit të urdhrit “nuk pa asnjë të mbijetuar”.
Përtej luftës kundër drogës, kanë dalë edhe teori mbi motive të tjera. Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Deputetja republikane dhe aleate e Trump, Maria Salazar, deklaroi në Fox News se një qasje amerikane në Venezuelë “do të ishte një mundësi” për kompanitë amerikane të energjisë.
Presidenti Maduro i ka dërguar një letër OPEC-ut, duke akuzuar SHBA-në për “kërcënime të paligjshme” me qëllim “përvetësimin e rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës përmes forcës ushtarake”. Trump, ndërkohë, deklaroi se po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së sulmeve nga ujërat ndërkombëtare në territor venezuelian.
Me rritjen e pranisë detare dhe ajrore amerikane, dhe me Caracas që flet hapur për agresion, situata shihet si gjithnjë e më e paqëndrueshme. Sky News paralajmëron se pas 22 javësh incidentesh dhe retorike në rritje, përshkallëzimi i mëtejshëm është i mundur.
© BalkanWeb