Rruga u bllokua nga masivet e gurëve/ Pas 8 orësh paralizë totale, vijon normalisht qarkullimi në aksin Librazhd-Prrenjas
Pas rreth tetë orësh paralizë totale, qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas është rikthyer në normalitet. Bllokimi u shkaktua nga rënia e gurëve në rrugë, duke pamundësuar lëvizjen e mjeteve për disa orë.
Këtë të hënë, lëvizja në këtë segment vijon normalisht, megjithatë situata mbetet shqetësuese për shkak të rrezikut të shtuar, veçanërisht si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën.
Pavarësisht kushteve të rrezikshme, aksi nuk po monitorohet nga forcat e policisë apo autoritetet përgjegjëse. Aktualisht, në vend është vendosur vetëm një tabelë paralajmëruese për rrezik nga rrëshqitjet e gurëve, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit. Banorët dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe masa sigurie shtesë për të shmangur ngjarje të tjera të rrezikshme në këtë segment rrugor.
© BalkanWeb