Ruset tërhiqen nga aksionet në NIS/ Serbia: Jemi në bisedime me disa kompani serioze
schedule17:00 – 20 Nëntor, 2025
Sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë Serbe të Naftës kanë hyrë në ditën e tyre të dyzet e tretë dhe pronarët rusë, sipas Ministres së Minierave dhe Energjisë Dubravka Đedović Handanović, kanë rënë dakord të shesin pjesën e tyre kryesore prej 56.15 përqind në mënyrë që të sigurojnë funksionimin e kompanisë.
Në të njëjtën kohë, Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë, paralajmëroi se Serbia kishte marrë një sinjal në lidhje me mundësinë e vendosjes së sanksioneve dytësore kundër NIS, të cilat, theksoi ajo, u morën shumë seriozisht.
Në rrethana të tilla, NIS është duke pritur përgjigjen e Zyrës së Kontrollit të Aseteve në Departamentin Amerikan te Thesarit ndaj kërkesës së saj për një licencë të veçantë që do të mundësonte funksionimin normal të kompanisë
Emri i palës së tretë që pritet të blejë aksionet ruse në kompaninë e përpunimit të naftës NIS ende nuk është bërë i ditur, por sipas ministres së energjisë bëhet fjalë për një kompani serioze.
Lidhur me shitjen e aksioneve, Uashingtoni ka deklaruar se do të vlerësojë çdo shitje të propozuar bazuar në interesat e sigurisë dhe politikës së jashtme të SHBA-së, me kushtin specifik që transaksioni të shkëpusë plotësisht lidhjet me Rusinë. Në rast të një shitjeje, blerësi nuk duhet t’ia paguajë paratë rusëve, por do ti depozitoj ato në një llogari të bllokuar, ku fondet do të mbeten derisa të hiqen sanksionet.
Departamenti amerikan i Thesarit e ka futur NIS-in në listën e sanksioneve që në janar, ndërsa pas disa shtyrjeve, sanksionet hynë në fuqi më 9 tetor.
Kjo situatë me NIS, ose industrinë e naftës serbe ka vënë në vështirësi serioze ekonominë e vendit.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

