“Rusia fiton një territor sa Luksemburgu pa luftë”, Çfarë humb Ukraina nëse pranon planin e SHBA-së?
Humbjet territoriale që do të pësonte Ukraina nëse pranonte planin amerikan të paqes i analizoi Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).
Sipas analizës së të dhënave të ofruara për AFP-në nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISË), Rusia do të mund të fitonte pa luftë një territor pothuajse sa sipërfaqja e Luksemburgut.
Plani, i cili ka rënë në duart e AFP-së, parashikon tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga zona që ajo ende kontrollon, duke i sjellë Rusisë një përfitim neto prej rreth 2.300 kilometrash katrorë, gati sa sipërfaqja e Luksemburgut (2.590 km²), pa luftime.
Kievi do të duhej të hiqte dorë edhe nga gati 5.000 km² në rajonin e Donetskut, zona që kontrollon aktualisht, për t’u përdorur si “zonë neutrale”, si dhe një tjetër zonë prej 45 km² në Luhansk. Këto përfshijnë qytetet e mëdha Kramatorsk dhe Sloviansk.
Në këmbim, Moska do t’i kthente Ukrainës rreth 2.000 km² territor në rajonin e Kharkivit, të cilin e pretendon ose e kontrollon pjesërisht, 450 km² në Dnipropetrovsk, 300 km² në Sumy dhe 20 km² në Chernihiv.
Dokumenti parashikon gjithashtu njohjen de facto të kontrollit rus mbi Krimenë, e aneksuar nga Moska në vitin 2014, si edhe mbi rajonet Donetsk e Luhansk. Ai i lë gjithashtu Rusisë territore të mëdha që ajo mban aktualisht në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.
Në fund, plani i propozuar nga Uashingtoni do të zyrtarizonte dorëzimin nga Ukraina të rreth 20% të territorit të saj, ndërsa do të rifitonte më pak se 0,5%.
Që nga fillimi i nëntorit, ushtria ruse ka avancuar me rreth 400 km² në territorin ukrainas, me ritëm më të shpejtë krahasuar me muajt shtator dhe tetor.
Më 20 nëntor, Rusia kontrollonte plotësisht ose pjesërisht 19,3% të territorit ukrainas. Rreth 7%, që përfshin Krimenë dhe pjesë të Donbasit – ishte nën kontroll rus edhe para pushtimit të shkurtit 2022.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb