Rusia sulm me dronë ndaj një autobusi ukrainas, humbin jetën 15 minatorë
Një sulm me dron rus ndaj një autobusi që transportonte punëtorë minierash në rajonin e Dnipropetrovskit, në Ukrainë, ka shkaktuar të paktën 15 viktima dhe shtatë të plagosur, njoftuan të martën shërbimet e shpëtimit ukrainase dhe autoritetet lokale.
Sipas shërbimeve të emergjencës ukrainase, autobusi i përkiste një kompanie private dhe u godit në rajonin e Pavlogradit. Në një postim në Telegram, autoritetet publikuan edhe një fotografi që tregon autobusin e dëmtuar rëndë, me trupa të shtrirë përpara tij. Të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spital, bëjnë të ditur shërbimet e shpëtimit.
Policia ukrainase njoftoi se sulmi ndodhi në qytetin Ternivka, pranë Pavlogradit, rreth 70 kilometra larg vijave të frontit.
Ministri i Energjisë, Denis Shmyhal, reagoi duke deklaruar se “armiku kreu një sulm cinik dhe të synuar ndaj punonjësve të energjisë në rajonin e Dnipropetrovskit”.
Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se një raund i dytë bisedimesh trepalëshe mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, autoritetet rajonale raportuan se të paktën nëntë persona u plagosën nga sulme ruse ndaj një materniteti dhe një ndërtese banimi në qytetin juglindor të Zaporizhias.
© BalkanWeb