Sabalenka e Rybakina në finalen e Australian Open, kazakja synon hakmarrjen për titullin e humbur 3 vite më parë
29 Janar 2026
13:13
Telesport
Tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka dhe ajo kazake Elena Rybakina, janë dy finalistet e grand slam të Australian Open, turne që po zhvillohet në Melburn. Në gjysmëfinalet luajtur sot, ato arritën të triumfojnë me meritë, duke rikthyer në jetë finalen e tri viteve më parë, fituar nga Sabalenka.
Në gjysmëfinalen e parë, tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka fitoi 2-0 (6-2, 6-3) ndaj ukrainases Elina Svitolina. Një ndeshje pa histori, komanduar nga numri 1 në botë, që kërkon triumfin e tretë në finalen e Melburnit (është kualifikuar në finalen e Australian Open në 4 edicionet e fundit).
Fitore më të vështirë pati tenistja kazake Elena Rybakina, që mundi 2-0 (6-3, 7-6) amerikanen Jessica Pegula. Mjaft i bukur seti i dytë, vendosur në “tie break” për kazaken, që luan finalen e dytë në Australian Open. Ajo do të kërkojë të hakmerret për finalen e humbur në vitin 2023.