“Salianji është aset i PD, ka paguar një kosto të pamerituar politike”/ Gjekmarkaj për mbledhjen e më të votuarve të primareve: Nuk është problemi pse pinë kafe 10 demokratë, por kjo furtunë…
Nënkryetar i PD dhe i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar për mbledhjen e më të votuarve të primareve. Ai theksoi se nuk është problem pse anëtar apo deputetë të PD pinë kafe, por sipas tij, u krijua nga media një furtunë për të krijuar ngjarje në PD.
Gjekmarkaj shton se ish-deputeti i Ervin Salianji është aset i PD-së, dhe sipas tij, ka paguar kosto të pamerituar politike.
“PD në këtë moment është një kantier i hapur, dhe kantier i idesh, analizash, propozimesh dhe debatesh. Ne kemi debatuar me orë të tëra në kryesinë e PD para një jave. Jo gjithmonë të përputhura debatet me njëra tjetrën por kjo është PD.
Kemi debatuar në grupin parlamentar të PD. Bëhen lajm këto gjëra, por nuk bëhet lajm ato që e marrin peshën e lajmit. Berisha ka folur gjithmonë, për hapjen, për ri-formatim të PD, për një analizë të thellë dhe për garë.
Ka qenë mjaft i hapur mendoj unë. Për gjëra të tjera pastaj qoftë miku im Ervin Salianji, që ju e dini shumë mirë që unë e çmoj, i cili ka paguar një kosto të vërtetë politike me sakrificë. Burgun nuk ja uroj askujt. Ai është anëtar i PD, një aset i saj një njeri që ka folur në kryesi dhe do flasë përsëri. Edhe nuk shoh, ku është shqetësimi, kur Ervin Salianji pi kafe me 9 apo 10 demokratë.
Unë nuk ndjej asnjë lloj shqetësimi dhe nuk kam parë asnjë shqetësim. Kjo është një furtunë, në një gotë ujë e ngritur nga etja, që kanë mediat për të krijuar ngjarje në PD, kur ngjarjet janë në kampin tjetër. Është më se normale që të ulen në kafe 9-10 deputetë, qoftë të listave të hapur apo të mbyllura.”, tha ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb