Samiti i BE në Tiranë/ Liderët e rajonit dhe komisionerja Kos diskutojnë planin e rritjes
schedule17:02 – 21 Nëntor, 2025
Tirana mirëpriti këtë të premte samitin e rradhës për planin e rritjes mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
E para që mbërriti në Pallatin e Brigadave, ishte komisionerja për zgjerimin Marta Kos, dhe pas saj, kryeministri Edi Rama, priti me rradhë homologët nga Kosova, Serbia, Mali I Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina.
Në nisje të seancës plenare, komisionerja Kos, tha se Bashkimi Europian duhet ta përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe një mekanizëm për këtë, është pikërisht plani I rritjes.
“Ju jeni pjesë e Europës, ne thjesht duhet ta bëjmë këtë gjë dhe në formë institucionale, pra që ju të bëheni shtet anëtar i BE. Ne duam që Bashkimi Europian të jetë tashmë që sot një realitet i prekshëm për qytetarët tuaj, në mënyrë që të sjellë më shumë begati, siguri dhe stabilitet për mbarë kontinentin europian në këto kohë kur ne kemi të tjerë, të cilët do të donin që ne të mos ja dilnim bashkë.”
Ndërsa Edi Rama tha se Shqipëria nuk kërkon lëmoshë nga Bashkimi Europian por të jetë kontributor në të.
“Nuk po ecim drejtë Europës me duart bosh e aspak si ata që lypin lëmoshë, po ecim me rezultate të arritura, me reforma të realizuara, më investime të siguruara e me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Dhe ne do të vazhdojmë të ecim përpara derisa Ballkani Perëndimor të hyjë në BE jo si të ftuar por si kontribuues për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e tij e pa dyshim si kontribuues i sigurisë së tij.”
Komisionerja Kos kërkoi vijimësine e reformave për thithjen e fondeve ndërsa kryeministri Rama evidentoi heqjen e tarifave roaming si nje nga përfitimet e drejtpërdrejta per qytetarët.
“Për sa u përket fondeve të disbursuara, jemi ende nën 10 % të shumës totale, dhe 400 milionë euro nga një paketë prej 6 miliardë eurosh që janë lënë mënjanë për rajonin, pra ne mund të bëjmë më shumë dhe duhet të bëjmë më shumë të gjithë së bashku.”
“Ne kemi hequr tarifën e brendshme Roaming në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor dhe kemi ulur tarifat, ndërkohë që tashmë me finalizimin e bazës ligjore nga Komisioni , ‘’Roam like at home”, është programi midis Ballkanit Perëndimor dhe BE që do t’i japë fund sistemit të ndryshëm të tarifave.”
Po ashtu, Rama tha se Shqipëria është një hap para drejt Bashkimit Europian edhe sa I përket identitetit digjital
“Jam krenar tu them që identiteti digjital në Shqipëri është gati dhe duke nisur nga viti i ri, do të përhapet dhe do të bëhet pjesë e jetës sonë. Një identitet, një akses, një jetë digjitale në mbarë rajonin e gjithmonë e më tepër ne mbarë BE-në. Dhe kur BE të nisë me të, në 2027, ne do të jemi në pritje aty, me BE-në.”
Deri më tani Shqipëria ka përfituar 100 milionë euro nga plani I rritjes I Bashkimit Europian. Ndersa ne Tiranë u konfirmua edhe granti prej 54 milionë eurosh që do i jepët Ballkanit Perëndimor për programin e transportit, që ka të bëjë me sigurinë rrugore, hekurudhore, kapacitetet teknike, dhe që do të administrohet nga Banka Botërore. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

