“S’do presim sesionin tjetër parlamentar për përgatitjen”, Rama me rektorët e Universiteteve: Ka ardhur koha të reflektojmë mbi ligjin e arsimit të lartë
Kryeministri Edi Rama deklaroi në një takim me rektorët e Universiteteve Publike dhe Private se ka ardhur koha për të bërë ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë.
Ai u shpreh se ndryshimet do të hartohen nga një grup ekspertësh dhe sipas tij do të kalojë në kuvend brenda këtij sesioni parlamentar.
“Është koha për të rivizatuar ligjin e arsimit të lartë, pasi tani më ka kaluar një periudhë e mjaftueshëm për të reflektuar në atë ligj ndryshimet që ka sjellë koha, por edhe konstatimet e praktikës në raport me kornizën e ligjit. Ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju me kontributin tuaj. Ky do të jetë rasti përsëri që shpresoj edhe për shkak të eksperiencës do të jetë e mundur ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshme. Ma ha mendja nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Të reflektojmë mbi shqetësimet për të shkruar ndryshimet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se sfida e përbashkët e të gjithë universiteteve është ndërkombëtarizimi dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.
“E dyta që dua të nënvizoj është që nuk duhet ta humbasim nga vëmendja se sfida jonë e përbashkët është nga njëra anë ndërkombëtarizimi dhe nga ana tjetër racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Deri dje gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit, sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu Universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit. Duke qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe të ndërtojnë projekte apo partneritete evropiane dhe duke përfituar nga fondet evropiane”, tha ai.
© BalkanWeb