Seanca për Ballukun në Këshillin e Mandateve, Gjençaj: Miratimi i kërkesës i hap rrugë arrestimit nga SPAK! Në mbledhje do jenë edhe Dumani e Braho
Gazetari Ergys Gjençaj, i ftuar në studion e News24, ka dhënë detaje mbi seancën që pritet të zhvillohet në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Gjençajt, në rast se Këshilli miraton kërkesën, SPAK do të ketë rrugë të hapur për ndalimin e Ballukut. Këshilli i Mandateve përbëhet nga 10 anëtarë dhe do të drejtohet nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Mbledhja pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura, pas kërkesës së SPAK, për shkak të sekretit hetimor që duhet të mbrohet.
Balluku pritet të jetë e shoqëruar nga avokatët e saj, ndërsa diskutimi ligjor do të mbështetet në argumente juridike nga ana e mbrojtjes. Nga SPAK, në seancë pritet të marrin pjesë prokurori i çështjes Dritan Prençi, drejtuesi aktual Altin Dumani, si dhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, i cili pikërisht atë ditë pritet të marrë zyrtarisht detyrën.
Gazetari theksoi se ende nuk dihet se kur do të mblidhet Kuvendi për të shqyrtuar raportin që do të dalë nga Këshilli i Mandateve. Ekziston mundësia e një seance të jashtëzakonshme, pasi dita e nesërme është seanca e fundit parlamentare për këtë vit. Sipas rregullores, Kuvendi mund të mblidhet nëse thirret nga kryeministri, presidenti ose nga një grup deputetësh që paraqesin kërkesë zyrtare pranë kryetarit të Kuvendit.
Gjençaj shtoi se mbetet për t’u parë nëse opozita, pas përfundimit të raportit të Këshillit, do t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit me një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për votimin e raportit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë çështja pritet të diskutohet në seancat e radhës më 19 ose 22 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas afateve ligjore, nëse Kuvendi nuk merr një vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së SPAK, ajo rrëzohet automatikisht. Kërkesa është depozituar më 16 dhjetor dhe, nëse nuk ka reagim deri më 16 mars, procesi për heqjen e imunitetit të Ballukut mbyllet, megjithëse SPAK ka të drejtë ta ridërgojë kërkesën.
© BalkanWeb