Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi nën lupën e SPAK, shfaqet në publik me badigardë
Emri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi po përflitet së fundmi në qarqe politike dhe mediatike si një nga personat që ndodhen nën vëmendjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me afera më tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Burime jozyrtare flasin për një intensifikim të interesit të organit të akuzës ndaj një tenderi sekret, ku po verifikohen lidhje, vendimmarrje dhe përfitime të mundshme të paligjshme, por edhe për një transaksion që lidhet me inceneratorët.
Ndërkohë, Agaçi është parë dje në zonën e Bllokut në kryeqytet, në shoqërinë e familjes së tij, ndërsa sot në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, këtë herë i shoqëruar nga disa persona që besohet se ishin badigardë.
Lëvizjet e tij në publik kanë tërhequr vëmendje, duke shtuar spekulimet në këtë klimë të tensionuar, ku çdo emër i lidhur me tendera publikë dhe teknologjinë e shtetit po shihet me lupë nga drejtësia e re.
Në tetor 2022 por edhe në maj të vitit të kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u thirr në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Ai deklaroi se ishte thirrur si person që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës.
© BalkanWeb