Sezon i humbur për patatet në Maliq dhe Devoll, qindra tonë produkte rrezikojnë të kalben, ankohen fermerët: Asnjë subvencion nga shteti!
Fermerët e Maliqit dhe Devollit po përballen me një tjetër sezon të humbur bujqësor, ndërsa qindra tonë patate po kalben në magazina për shkak të mungesës së tregut për prodhimin vendas. Situata po shkakton humbje të mëdha ekonomike për fermerët, të cilët ankohen për mungesën e subvencioneve dhe konkurrencën nga produktet e importit.
Ledion Kreka, një fermer i ri nga Maliqi, i cili kultivon patate së bashku me prindërit e tij, tha se dëmi këtë vit arrin rreth 60 milionë lekë. “Nuk kemi marrë asnjëherë kompensim, ndërsa produktet e importit dominojnë tregun, pavarësisht se patatja e Ormanit është cilësore më e lartë. Subvencionet janë të pamjaftueshme,” shprehet ai.
Edhe Durim Kreka, fermer tjetër nga Maliqi, tregon se çmimi me shumicë varion nga 20–25 lekë/kg, por mungesa e tregtarëve ka shkaktuar humbje të mëdha. Ai vijon punën në bujqësi për të siguruar jetesën e familjes. Nga Ormani, fermeri Izareti, që këtë vit ka kultivuar patate dhe qepë, deklaron se ende nuk ka shitur asnjë produkt dhe paralajmëron se nëse nuk dalin në treg deri në shkurt, produktet do të kalben në magazinë.
Situata e njëjtë paraqitet edhe në Devoll, ku Bardhi Zhuleku nga fshati Tren shprehet se edhe kur produktet dëmtohen nga kushtet natyrore, shteti nuk ofron asnjë kompensim. Fermerët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të shmangur humbje masive dhe për të siguruar tregun vendas për prodhimet shqiptare.
© BalkanWeb