Shanset për në Botëror, makthi i Beogradit, raporti me Brojën dhe lojtarët, Duka rrëfehet për gjithçka
26 Dhjetor 2025
11:31
Alfred Lleshi
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në intervistën e tij të fundit u ndal gjerësisht te futbolli, kombëtarja dhe objektivat madhorë të Shqipërisë. Në qendër të fjalës së tij ishte ëndrra e kualifikimit në Kupën e Botës 2026, një synim historik që, sipas Dukës, mbështetet në potencial real: “Kemi rreth 25% shanse. Besimi im nuk është dëshirë, por vlerësim realist i nivelit që kemi”.
Duka pranon se Botërori është shumë më i vështirë se Europiani, por thekson se kombëtarja shqiptare e ka rritur ndjeshëm cilësinë dhe mentalitetin. Ai vlerëson atmosferën në stadium, përmirësimin e sjelljes së tifozëve dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë në Botëror “jo si tifozë, por me ekip”.
Sa iu përket lojtarëve, presidenti i mbron ata publikisht ndaj kritikave, duke përmendur raste si Elseid Hysaj, si edhe duke shprehur besim të plotë tek Armando Broja, të cilin e konsideron shumë të rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares:
Pas ndeshjes me Andorrën qarkulluan video ku duket se nuk takove Armando Brojën…
E kam parë edhe unë atë video, nuk e kam kuptuar në momentin që ka ndodhur, pasi ishim shumë të gëzuar, duke festuar, ishte festim i paprogramuar, por i kam parë pamjet në rrjetet sociale. Broja ishte i mërzitur me veten e tij, nuk ishte i kënaqur me atë që dha në fushën e lojës. Megjithëse unë nuk kam të njëjtin mendim me të, nuk është se dha maksimumin e tij, por ai e ndihmoi goxha skuadrën, po ta shohësh në mënyrë profesionale, e ndihmoi goxha skuadrën për ato minuta që ishte në fushë. Duke qenë se ishte i mërzitur me veten e vet, nuk e kishte me mua.
Të thashë që kam raporte të mira me të gjithë. Me Armandon kam komunikuar, jo vetëm pas asaj ndeshje padyshim, edhe pas ndeshjes me Anglinë, që ai ishte i dëmtuar dhe vazhdoj të komunikoj çdo ditë që ai të jetë sa më mirë dhe të jetë në formë për veten e tij dhe pse jo, edhe për të na ndihmuar neve. Unë kam shumë besim që ai mund të na ndihmojë shumë neve.
Si i përjeton ti sulmet e tifozëve ndaj futbollistëve kur gabojnë?
Kështu është kjo loja jonë, është diçka e pashmangshme, brenda 90 minutave mund të jesh hero dhe armik. Ne kemi një nga lojtarët më të mirë dhe që ka kontribuar më shumë me ekipin Kombëtar, me më shumë ndeshje në Kombëtare, Elseid Hysaj, i cili sipas tifozëve gaboi, që për mua bëri një veprim normal, gati-gati e persekutuan. Pas ndeshjes i kam thënë: Elsi, fiki rrjetet sociale dhe përqendrohu te ndeshja e radhës.
Unë jam i kujdesshëm dhe i mendoj kritikat për t’i korrigjuar, sepse të gjithë bëjmë gabime, mundohem që t’i kem parasysh për sa kohë gjykoj që qëndrojnë. Shoh edhe sharje, fyerje, baltosje, por nuk më ndikojnë shumë. Padyshim që nuk më vjen mirë, se nuk ka njeri dëshirë t’i shohë, por nuk më ndikojnë. Asnjë nga familjarët e mi nuk më komenton ndonjëherë sharjet dhe nuk më thonë gjë, edhe pse jam i sigurt që i shohin. Është diçka e pashmangshme, që vjen nga zhvillimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Çfarë të bën të ndjesh “Beogradi”?
Ka qenë një nga ditët e mia më të vështira në futboll. Në momentin që ka hyrë ai flamur në stadium, nuk e kam kuptuar se si. Kam ndjerë frikë, jo për vete, por për përgjegjësinë që kisha dhe ndjeja frikë për të gjithë çunat që kisha aty.
Kampionatin Europian U-21 e shoh si një zhvillim shumë pozitiv, është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm që zhvillon UEFA pas ekipeve të para. Shqipëria ka një shans të artë për ta zhvilluar këtë dhe është një shans historik. Ne do ta shfrytëzojmë dhe organizojmë shumë mirë dhe do t’i bëjmë të gjithë që të ndjehen shumë mirë dhe të shohin futboll.
Çfarë të bën të ndjesh “Rei Manaj”?
Goli i Manajt është me shumë peshë. Akoma edhe më shumë se tre pikët. Ja kam thënë këtë edhe Reit. Dhe mënyra e festimit që ka bërë është fantastike. Këtë duhet ta mbajë në kornizë gjatë gjithë jetës tij. Nuk mendoj se do të bëjë diçka më të bukur se kjo. Uroj që po.
Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës”?
Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi.
Shqipëria apo Kosova?
Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.
A duhet të kemi një kombëtare?
Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete më një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.
Çfarë të bën të ndjesh “Tifozat Kuqezi”?
I kemi prishur pak marrëdhëniet kohët e fundit për arsye të pranisë së tyre në stadium. Kjo nuk ka të bëjë në marrëdhënien personale. Ka disa rregulla që ne duhet t’i respektojmë. Ne e vlerësojmë mbështetjen dhe kontributin e çdo tifozi që vjen në stadium. Por ne dëshirojmë një nivel dhe një ambient më të kulturuar në stadium.
Çfarë të bën të ndjesh “Gianni De Biasi”?
Trajner shumë i mirë. Mik shumë i mirë. I dashur për ambientin shqiptar, e respektojnë shumë. Por edhe ai na respekton shumë. Është i pranishëm në të gjitha ndeshjet tona të Kombëtares dhe kam marrëdhënie shumë të mira me të. Gianni ka ngjitur shumë në Shqipëri. Edhe Silvinjon e duan shqiptarët. Janë dy trajnerët të cilët kanë çuar Shqipërinë në finalet e Europianit dhe pa dyshim që ne i jemi shumë mirënjohës.
Nëse do ishit trajner, cila do ishte kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave?
Duhet ta mendoj gjatë, pasi jam shumë i sigurt që do gaboj. Ne kemi pasur shumë futbollistë të mirë. Është e vështirë të bëj 11-shen tani. Se duhet të mendohem gjatë.
A e mendon Igli Taren si president?
Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë. Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi. Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen.