Sherr për djalin e xhaxhait/ Kanosi kreun e IKMT-së në Kukës, arrestohet inspektori
Kreu i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së së Kukësit ka denoncuar në polici një inspektor. Për pasojë, ky i fundit është arrestuar nga policia.
“Kanosi Drejtorin Rajonal të IKMT-së Kukës, për shkak të një aktkonstatimi, vihet në pranga inspektori i IKMT-së pranë Drejtorisë Rajonale Kukës. Procedohet penalisht edhe shtetasi që kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë (kushëri i të arrestuarit).
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës.
Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., në lidhje me një aktkonstatimi për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. (djali i xhaxhait të të arrestuarit). Në vijim të veprimeve, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, i cili kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë.”, sqaron policia.
© BalkanWeb