Shqipëria në grupin “e mallkuar” në Botëror, “njohim” vetëm një kundërshtar
Kombëtarja shqiptare e futbollit, do të jetë pjesë e Grupit F në Kupën e Botës, nëse arrin të kalojë fazën play-off dhe siguron biletën për aktivitetin e verës së ardhshme. Ky është në fakt grupi që skuadrat e mëdha mundohen ta shmangin për shkak të “mallkimit” të tij.
Në historinë e turneut, asnjë skuadër nga Grupi F nuk ia ka dalë të fitojë Botërorin, me Argjentinën që i shkoi më afër duke arritur deri në finale në vitin 2014. Por përtej kësaj, kuqezinjtë potencialisht janë në një grup me shumë të panjohura.
Kundërshtarët atje janë Holanda, Japonia dhe Tunizia, me ekipin tonë që njeh vetëm një prej këtyre ekipeve. Bëhet fjalë pikërisht për Holandën me të cilën ka luajtur 4 ndeshje. Dy të parat janë humbje identike 2-0 në vitin e largët 1964, kur luhej për kualifikueset e Botërorit 1966.
Ndërkohë, hera tjetër kur ekipet janë takuar ishte në kualifikueset e Euro 2008, ku holandezët fituan 2-1 në Amsterdam dhe 1-0 në Tiranë.
Sa u përket ekipeve të tjera përfaqësuese të këtij grupi, Japonisë dhe Tunizisë, Shqipëria nuk ka asnjë përballje me ta në nivel skuadrash A.
© BalkanWeb