Shqipëria nuk ka nevojë për sisteme perfekte, por për sisteme të ndershme – Modeli Gjerman i Mazhoritarit të Korrektuar
Nga Nikola Kedhi
Në Shqipëri, debati mbi sistemin zgjedhor zakonisht shpërthen në momente krize, në periudhën paraelektorale ose gjendet në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ky diskutim në çdo rast mbyllet ose me kopjim të pastudiuar të modeleve të huaja, sikur demokracia të ishte një manual përdorimi, ose me krijesa sui generis, si modeli aktual që kemi.
Përgjithësisht, ka një refleks shumë të gabuar sikur nëse ne kopjojmë modele që ekzistojnë gjetkë dhe i zbatojmë ashtu siç janë atje, demokracia jonë do të lulëzojë. Sistemet zgjedhore nuk funksionojnë në vakum. Ato janë produkte të historisë, institucioneve, sjelljeve dhe balancave reale të pushtetit në një shoqëri. Ajo që prodhon stabilitet dhe përfaqësim në Europën Veriore mund të prodhojë deformim dhe kapje në Ballkan.
Pyetja e drejtë, pra, nuk është se cilin sistem përdorin të tjerët, por se cili sistem i përgjigjet më mirë problemeve tona konkrete dhe, mbi të gjitha, se cili i afrohet më shumë përfaqësimit të saktë të vullnetit popullor. Demokracia nuk matet nga eleganca teorike e rregullave, por nga aftësia e tyre për t’i rezistuar abuzimit. Qëllimi i këtij cikli shkrimesh është pikërisht studimi i sistemeve të ndryshme në vende të ngjashme ose me demokraci të konsoliduara, dhe përshtatja e elementëve të ndryshëm që funksionojnë me realitetin tonë.
Nuk ekziston një sistem perfekt. Çdo model zgjedhor përmban kompromise midis përfaqësimit dhe qeverisjes, midis stabilitetit dhe pluralizmit. Por disa sisteme e minimizojnë padrejtësinë më mirë se të tjerët. Një përfaqësim i drejtë nënkupton që vota të ketë peshë të barabartë, që raporti mes votave dhe mandateve të mos deformohet rëndë, që sa më pak vota të humbasin, që pluralizmi real të mos ndëshkohet artificialisht dhe që rezultati të perceptohet si legjitim nga shumica e qytetarëve.
Në këtë kuadër, sistemi që vjen nga Gjermania, ai i përzier proporcional (Mixed-Member Proportional – MMP, ose mazhoritar i korrektuar proporcionalisht) meriton të shihet seriozisht. Është një sistem i ngjashëm me atë që ne kemi pasur deri në vitin 2008. Ky nuk është një bashkim i sforcuar apo i paqartë mes dy sistemeve, por një arkitekturë e menduar pikërisht për të ndarë dy gjëra që shpesh ngatërrohen: përfaqësimin lokal dhe shpërndarjen reale të pushtetit.
Modeli gjerman funksionon mbi një logjikë të thjeshtë dhe të disiplinuar. Çdo votues hedh dy vota të ndara. Vota e parë është për kandidatin e zonës, në një garë të drejtpërdrejtë mazhoritare mes individësh. Kjo votë zgjedh deputetin lokal dhe ruan lidhjen mes qytetarit dhe të zgjedhurit, duke krijuar përgjegjshmëri personale dhe përfaqësim konkret. Por kjo votë, ndonëse e rëndësishme politikisht, nuk përcakton balancën përfundimtare të pushtetit, pasi kjo votë mund të deformohet nga individë apo grupe me peshë lokale, nga oligarkë, apo thjesht individë me influencë në komunitet, që mund të deformojnë rezultatin në çdo lloj mënyre.
Pushteti përcaktohet nga vota e dytë, ajo për partinë në rang kombëtar. Kjo votë vendos se sa mandate i takojnë çdo force politike në total. Nëse një parti merr 30 për qind të votës kombëtare, ajo ka të drejtë për rreth 30 për qind të vendeve në parlament. Deputetët e fituar në zona llogariten brenda kësaj kuote. Nëse janë më pak, plotësohen nga listat kombëtare. Nëse janë më shumë, sistemi nuk i shpërblen me pushtet shtesë.
Këtu hyn në lojë mekanizmi kyç i sistemit gjerman: mandatet korrigjuese. Në rast se një parti fiton më shumë zona lokale sesa i takojnë proporcionalisht, sistemi nuk e mohon fitoren e individëve, por as nuk lejon që kjo të deformojë përfaqësimin kombëtar. Për ta ruajtur proporcionalitetin, shtohen mandate për partitë e tjera derisa balanca përfundimtare e parlamentit të përputhet sa më saktë me vullnetin e votuesve. Është një “siguresë” institucionale që parandalon pikërisht atë që Shqipëria ka përjetuar shpesh: qeverisjen me pakicë reale, por me shumicë artificiale mandatesh.
Modeli shoqërohet edhe me një prag elektoral relativisht serioz, zakonisht rreth 5 për qind, i cili shërben për të frenuar fragmentimin ekstrem dhe për të ruajtur funksionalitetin e parlamentit. Sistemi shpërblen dhe koalicionin para ose pas elektoral. Kritika më e shpeshtë ndaj këtij sistemi është se ai është teknikisht i ndërlikuar. Por kjo kritikë ngatërron kompleksitetin institucional me barrën mbi qytetarin. Për votuesin, zgjedhja është e thjeshtë: një njeri dhe një parti. Kompleksiteti i llogaritjes është përgjegjësi e institucioneve, jo e qytetarëve.
Sigurisht, sistemi ka edhe disavantazhe. Parlamenti mund të zgjerohet për shkak të mandateve korrigjuese. Procesi i numërimit është më i sofistikuar. Qeveritë shpesh janë koalicione. Por këto janë kosto të qarta dhe të menaxhueshme, dhe jo domosdoshmërisht të kopjueshme për realitetin tonë. Ne në çdo sistem do duhet të marrim ato që janë të vlefshme për ne.
Në këmbim, sistemi ofron diçka shumë më të vlefshme: legjitimitet, drejtësi elektorale dhe rezistencë ndaj manipulimit.
Për Shqipërinë, kjo është jetike. Përdorimi i administratës publike, ndikimi i grupeve kriminale në territore të caktuara, mungesa e koalicioneve, deformimi i votës popullore dhe mandateve në Parlament, janë fenomene që ushqehen nga sisteme ku kontrolli lokal përkthehet drejtpërdrejt në pushtet kombëtar. Në një sistem të përzier proporcional, ndikimi kriminal në një zonë nuk shumëfishohet më politikisht.
Sistemi i përzier proporcional garanton diçka më themelore: nëse një shumicë reale qytetarësh voton për një palë, ajo shumicë do të përkthehet në pushtet. Pa bonuse artificiale për kundërshtarin dhe pa manipulim gjeografik.
Shqipëria nuk ka nevojë për zgjidhje magjike, por për institucione e sisteme që e trajtojnë qytetarin si burim pushteti, jo si objekt menaxhimi. Sistemi i përzier proporcional nuk është i përsosur, por është një nga sistemet e pakta që i reziston realitetit shqiptar. Sepse në fund të fundit, demokracia nuk është arti për të fituar zgjedhje, por arti për të mos i vjedhur ato.
© BalkanWeb