“S’kaluan vettingun!”/ Rama i ashpër me gjyqtarët: Në Kushtetuese kërkuat rritje pagash edhe për të korruptuarit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë
Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet në debatin me gjyqtarët lidhur me kërkesën për rritjen e pagave, duke i akuzuar ata se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar trajtim financiar të privilegjuar për gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu për pasuri të pajustifikuara.
Në kritikat e tij ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve, Rama theksoi se kjo mazhorancë politike ka qenë ajo që i ka garantuar pavarësinë sistemit të drejtësisë, ndërsa u bëri thirrje gjyqtarëve që këtë pavarësi ta ushtrojnë me përgjegjësi dhe dinjitet. Sipas kreut të qeverisë, kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese përfshin edhe individë që, sipas tij, janë përjashtuar nga sistemi i ri i drejtësisë për shkak të korrupsionit dhe pasurive të pajustifikuara. Ai deklaroi se përmes kësaj padie, taksapaguesve shqiptarë u kërkohet të financojnë paga më të larta jo vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar procesin e vettingut, por edhe për ata që janë larguar prej tij.
Rama e cilësoi këtë qëndrim si të papranueshëm, duke shtuar se nuk mund të konsiderohet një kërkesë legjitime ndaj një qeverie që, sipas tij, ka realizuar një reformë historike në drejtësi. Ai nënvizoi se reforma ka bërë realitet atë që, sipas Ramës, gjyqtarët e mëparshëm e kishin vetëm ëndërruar, por nuk kishin arritur ta zbatonin. Në përfundim, kryeministri theksoi se pavarësia e fituar e sistemit të drejtësisë duhet të shoqërohet me integritet dhe shërbim ndaj interesit publik, duke kërkuar që drejtësia të vihet në funksion të së mirës së qytetarëve shqiptarë.
“Ju keni shkuar në GJK për tju rritur pagën atyre që i hoqi Vettingu sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë. Ju keni shkuar në GJK për ti kërkuar taksapaguesve shqiptarë, që të paguajnë paga më të larta se të tjerëve për gjykatës dhe prokurorë që vettingu i hoqi sepse kishin pasuri të pajustifikuara. Ju keni vajtur në GJK për tu thënë taksapaguesve shqiptarë se edhe ata që ishin korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë meritonin rritje pagash njësoj si ata që e kaluan vettingun.
Si mund ta fusni këtë në radhën e pretendimeve që keni nga kjo qeveri e poshtër që ka bërë një reformë historike dhe që ka bërë atë që kolegët tuaj nga 2012 derisa u bë kjo reformë e kanë ëndërruar por nuk e kanë prekur dot. I ka dhënë pavarësinë, që ju sot duhet të bëni cdo gjë që ta ushtroni me dinjitet, ta ktheni në të mirë rtë madhe të popullit shqiptar”, tha Rama.
© BalkanWeb