SKI/ Kupa e Botës, Lara Kolturi gati për ndalesën e radhës në Austri
Ndalesa e tretë e Kupës së Botës në Ski pritet të sjellë një tjetër përballje të fortë mes ikonës amerikane Mikaela Shifrin dhe vajzës së talentuar që garon për Shqipërinë, Lara Kolturi.
Fokusi mbetet në garën e radhës, e cila pas etapës në Levi të Finlandës zhvendoset këtë fundjavë në Tirol të Austrisë. Pikërisht në luginën e Otztalit, Shifrin dhe Kolturi do të matin sërish forcën në dy garat e sllallomit.
Të dyja garat e femrave zhvillohen të dielën, ku zbritja e parë nis në orën 10:30, ndërsa raundi i dytë parashikohet për orën 13:30. Në renditjen e përgjithshme pas dy garave të para, Shifrin mban vendin e parë me 150 pikë. Pas saj renditet bashkëkombësja Paula Moltzan me 130 pikë, ndërsa Laura Kolturi qëndron në vendin e tretë me 116 pikë.
Ndonëse vetëm një javë më parë festoi 19- vjetorin e lindjes, Lara Kolturi ka shënuar rezultate të mëdha në arenën botërore të skive me të rriturat. Skiatorja italiane regjistron me Shqipërinë 4 podiume në garat e Kupës së Botës, dy medalje argjendi në sllallom, një tjetër në sllallom gjigant si dhe një medalje bronzi në sllallom gjigant.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
