“Skuqet” Vllaznia, por mungon goli në “Elbasan Arena”. Dinamo mjaftohet me golin e Vilës në Vlorë
8 Dhjetor 2025
19:49
Telesport
Kanë përfunduar pjesët e para në dy takimet e fundit të javës së 15-të në Abissnet Superiore. Vëmendja është në “Elbasan Arena”, aty ku përplasen dy nga pretendentët e këtij sezoni, Elbasani dhe Vllaznia. Pjesa e parë është mbyllur me porta të paprekura, por shkodranët janë me një lojtar më pak.
Në minutën e 26-të, Bajrami dhe Gjini ndalojnë në mënyrë të parregullt Tsague-n, arbitri jep karton të verdhë për Gjinin, që ishte i dyti në pak minuta dhe mbrojtësi detyrohet të lërë fushën e lojën. Protesta nga shkodranët, të cilët kërkonin ndëshkimin e Bajramit dhe jo të Gjinit.
Përsa i përket rasteve, të dyja ekipet patën mundësitë e tyre në pjesën e parë, por pa arritur ti finalizonin me gol. Në minutat 9′, 10′, shkodranët patën dy raste të mira me Kastratin dhe Kallakun. Në minutën e 34-të, Elbasani pati një rast të mirë me Tsague. Rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund të pjesës së parë.
Në Vlorë, pjesa e parë mes Flamurtarit dhe Dinamos është mbyllur 0-1 për “Blutë”. Në aksionin e tyre të parë të rrezikshëm, kryeqytetasit gjetën golin me Lorenco Vilën, i cili shënoi pas asistit të Nezirit.