Solidaritet dhe rebelim portugezësh, Ronaldo refuzon të luajë ndeshjen e radhës me Al Nassr
2 Shkurt 2026
8:22
Alfred Lleshi
Një tjetër “bombë” shpërthen në Arabinë Saudite. Sipas medias portugeze “A Bola”, Cristiano Ronaldo refuzon të luajë këtë të hënë me Al Nassr, i pakënaqur me menaxhimin e ekipit nga PIF (Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite). Fillimisht u raportua se mungesa e tij lidhej me përgatitjen për ndeshjen vendimtare ndaj Al Ittihad, por zhvillimet e fundit tregojnë se sulmuesi portugez nuk pranon të zbresë në fushë.
Shkaku kryesor i zemërimit të Cristianos është trajtimi i pabarabartë nga PIF, krahasuar me rivalë si Al Hilal, që pritet të marrë Karim Benzeman pas ndarjes së tij me Al Ittihad. Kapiteni i Portugalisë ankohet për mungesën e përforcimeve të kërkuara nga trajneri Jorge Jesus. Deri tani ka ardhur vetëm Haydeer Abdulkareem, ndërsa rivalët po forcohen.
“A Bola” shton se dy drejtuesve portugezë të Al Nassr, Simão Coutinho (drejtor sportiv) dhe José Semedo (CEO), iu janë ngrirë kompetencat nga bordi. Një arsye më shumë për pakënaqësinë e Cristianos, “tërmet” që mund të ndryshojë kampionatin. Tani pritet reagimi i PIF.