Sot 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, historiani Beqiraj: Ismail Qemalit i bënë luftë politike edhe kushërinjtë e tij, ishin të gjithë rrymat kundër
Historiani Evarist Beqiraj, i ftuar në studion e News24 foli për sfidat dhe arritjet e vendit, teksa Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e Pavarësisë si shtet.
Beqiraj vuri në dukje se Shqipëria përballet me probleme, siç ka pasur gjatë gjithë historisë, por situata e sotme është dukshëm më e favorshme krahasuar me 113 vjet më parë, kur vendi ndodhej në mes të zjarreve dhe luftërave ballkanike.
“Ishte një grusht idealistësh, me në krye Ismail Qemalin, që bëri të mundur pavarësinë e vendit. Sot gjërat janë më të lehta për Shqipërinë dhe shpesh herë ngatërrohemi edhe vetë. Sot kemi shumë favore edhe gjeostrategjike, ndërsa atëherë i kishim kundra, madje edhe vetë shqiptarë ishin kundër pavarësisë nga Perandoria Osmane,” tha Beqiraj.
Historiani kujtoi sfidat që përballi Ismail Qemali, duke përfshirë kundërshtimin nga një pjesë e bejlerëve dhe madje edhe nga disa kushërinj të tij, të cilët zhvilluan luftë politike që sipas tij, i bëri dëm vetëm Shqipërisë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb