SPAK kërkon arrestimin e zv/kryeministres! Osmani: Balluku duhet të jepte dorëheqjen, drejtësia ka folur
Analisti Afrim Osmani, i ftuar në studion e News24, ka komentuar seancën që pritet të zhvillohet në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si një moment kyç për qasjen e qeverisë dhe të kryeministrit ndaj drejtësisë.
Sipas Osmanit, kjo çështje përbën “provën e zjarrit” për kryeministrin, pasi do të tregojë nëse respektohet realisht parimi i ndarjes së pushteteve. Ai theksoi se drejtësia ka folur dhe se çështjet e qeverisjes publike nuk mund të trajtohen sipas “rregullave të lojës” që nuk i takojnë pushtetit ekzekutiv.
Ai analizoi qëndrimin e kryeministrit, duke thënë se ai është “kapur gafil” dhe se nuk mund të justifikohet me pretendimin se ngjarjet kanë ndodhur pa dijeninë e tij. Sipas Osmanit, Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen që në fillim, duke shmangur një proces të gjatë dhe të tensionuar politik. Ai e cilësoi atë si figurën numër dy të qeverisjes, duke shtuar se situata aktuale tregon shenja autoritarizmi.
Osmani shprehu bindjen se nga narrativa e kryeministrit kuptohet se do të ketë një përpjekje të fortë për mbrojtjen e Ballukut dhe për sqarimin e situatave në favor të qeverisë. Kjo, sipas tij, mund të kthehet në një pengesë serioze për dorëzimin e saj përballë drejtësisë.
Megjithatë, analisti vlerësoi se drejtësia po ecën në rrugën e duhur dhe nuk po intimidohet, as në këtë rast. Ai shtoi se edhe sipas praktikave të së drejtës ndërkombëtare, dorëheqja e Ballukut do të kishte qenë veprimi më i duhur, duke shmangur përplasjen institucionale.
“Ka shenja të qarta se kryeministri po përpiqet ta mbrojë Ballukun. Nuk shoh asnjë arsye pse ajo të mos japë dorëheqjen. Këtu po shprehet drejtësia dhe ajo duhet respektuar,” përfundoi Osmani.
© BalkanWeb