Spalletti si “karrem” për Frattesi, ja plani i Juventusit për ta marrë që në janar
12 Dhjetor 2025
11:21
Alfred Lleshi
“Martesa” mes Davide Frattesi dhe Interit po tronditet, sipas “Tuttosport”. Mesfushori romak shpresonte për më shumë hapësirë pas ndryshimit të trajnerit, nga Inzaghi te Chivu, por këtë sezon duket të jetë tejkaluar në hierarki, si nga ata që luajtën më pak sezonin e kaluar (Zielinski), ashtu edhe nga të ardhurit në verë (Sucic). Kjo po e bën të mendojë seriozisht largimin gjatë merkatos dimërore, me Juventusin shumë të interesuar.
Në Milano portat duken të mbyllura, por në Torino mund të hapen shanse. Juventusi ka një as në mëngë, Luciano Spalletti, trajneri që ka nxjerrë më së shumti në pah aftësitë e Frattesi në kombëtare, duke e bërë të shënojë 7 gola nën drejtimin e tij. Transferimi te Juventusi nuk është vetëm sentimental, por edhe taktik. Eksperimentet e fundit me 4-2-3-1 kërkojnë një “tuttocampista” që lidh repartet dhe sulmon në thellësi.
Negociatat për zgjatjen e kontratës deri më 2030 janë ndaluar nga enturazhi i lojtarit. Agjentët e tij janë parë te selia e Juventusit, për “sondazhe” me drejtuesit Comolli-Modesto. Çështja e çmimit mbetet. Interi e vlerëson Frattesin rreth 35 milionë euro, shumë për një lojtar që nuk është më qendror në projektin teknik. Megjithatë, dëshira e lojtarit mund ta detyrojë Interin t’i ulë kërkesat. Janari po afron dhe aksi Milano-Torino premton zhvillime në merkato.