Starmer dhe aleatët evropianë diskutojnë planin e paqes për Ukrainën, me Trump
Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe aleatët evropianë kanë biseduar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për planin e paqes në Ukrainë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz biseduan me presidentin amerikan, Donald Trump, ndërsa marrëdhënia e SHBA-së me Evropën përballet me tensione të mëdha.
Zyra e Starmer tha se të gjithë udhëheqësit kishin rënë dakord se ishte një “moment i rëndësishëm” për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë euroatlantike.
Udhëheqësit diskutuan rreth bisedimeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-ja, duke mirëpritur përpjekjet e tyre – për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe për t’i dhënë fund vrasjeve.
“Puna intensive për planin e paqes po vazhdon dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Starmer.
Të tre udhëheqësit evropianë u takuan të hënën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Londër për bisedime mbi propozimet për t’i dhënë fund luftës mes shqetësimeve se plani fillestar i Uashingtonit mbështeste qëllimet e luftës ruse.
Ekipi i Zelensky pritet t’ua dorëzojë propozimet e tij të fundit për paqe negociatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa takimi i “koalicionit të të gatshmëve” – vendet e udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca – të përgatitura për të mbështetur Ukrainën dhe për të penguar Rusinë nëse arrihet një armëpushim – do të zhvillohet të enjten.
Trump ka qenë kritik ndaj aleatëve evropianë të Ukrainës, duke i denigruar ata si udhëheqës “të dobët” – që nuk arrijnë të “prodhojnë” asgjë, ndërsa lufta vazhdon.
Zelensky tha se Ukraina do të zhvillojë bisedime me SHBA-në mbi planet për rindërtimin pas luftës dhe zhvillimin ekonomik.
© BalkanWeb