Struga, pa pushtet lokal/ Mickoski: Nuk e pëlqej kryetarin e zgjedhur
Mendi Qyra është kryetari i zgjedhur i komunës së Strugës, por ky institucon lokal nuk ka ende një kryetar këshilli, c’ka ka berë që në vend të mos konstituohet parlamenti lokal, dhe puna për drejtimin e qytetit të ngec.
Qyra vjen nga sektori i biznesit dhe të paktën në letër, ai garoi si kandidat i pavarur.
Koalicioni qeverisës, VMRO-DPMNE dhe VLEN, nuk paraqitën kandidatë për Strugën, por fillimisht e mbështetën atë, deri në momentin kur Mickoksi deklaroj se është i zhgënjyer nga Qyra.
Kritikat ndaj tij, kryeministri maqedonas i bëri pas festimit të Ditës së Flamurit më 28 nëntor, për shkak të mosvendosjes pranë simboleve kombëtare edhe të flamurit shtetëror maqedonas, që është obligim ligjor.
“Ai nuk meriton mbështetje… Kishte një fillim të keq, nuk ka një mundësi të dytë për përshtypjen e parë”, tha Mickoski në një konferencë për gazetarët më 4 dhjetor, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do t’i japin mbështetje në të ardhmen.
Bllokada lokale vjen pasi asnjë nga partitë që hyri në Këshill komunal nuk ka dhe për momentin nuk mund të sigurojë shumicën, ç’ka ka sjellë edhe moszgjedhjen e kryetarit të Këshillit Komunal.
Këshilli ka gjithsej 23 anëtarë ndërsa për shumicë nevojiten 12 vota. Aleanca Kombetare për Integrim e kryesuar nga BDI-ja ka grupin më të madh të këshilltarëve, gjithsej tetë anëtarë, partitë qeverisëse, VMRO-DPMNE gjashtë dhe VLEN katër këshilltarë. Nga një këshilltar përfaqësohen edhe LSDM-ja dhe E Majta, ndërsa tre këshilltarë janë nga lista e pavarur që para zgjedhjeve publikisht mbështeti ish-kryetarin Ramiz Merko.
Për të zgjedhur kryetarin e këshillit komunal duhen më së paku 12 vota, nga 23 anëtarë që përbëjnë korpusin lokal qeverisës.
Ndaj, nëse nuk ka një marrëveshje, Struga mbetet pa një drejtim lokal, dhe nëse nuk ka pushtet funksional, janë qytetarët ata që do të vuajnë pasojat.
Në këtë komunë, e cila ndodhet në bregun e Liqenit të Ohrit në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, jetojnë rreth 50.000 banorë.