Stuhia po afron! Çfarë do të thotë për Evropën zbatimi i planit Trump në Ukrainë. Dy skenarët
Paraqitja e planit amerikan të paqes me 28 pika për Ukrainën po shihet, jo thjesht si një dokument diplomatik, por si një sinjal i qartë se SHBA po ndryshon strategji globale. Uashingtoni duket se po e zhvendos fokusin nga Evropa drejt Paqësorit, duke e lënë kontinentin evropian më të ekspozuar dhe më të përçarë se kurrë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Sipas vlerësimeve fillestare, plani nuk përfaqëson një paqe klasike, por një kornizë që pranon realitetin aktual në terren: Rusia mban territoret e pushtuara, Ukraina tkurret, ndërsa Perëndimi sinjalizon se lufta nuk mund të financohet pafundësisht. SHBA e quan këtë qasje “realizëm”, por në Evropë ajo perceptohet si fillimi i një stuhie të re gjeopolitike.
Plani lëviz përgjatë disa boshtesh të qarta: ngrirja e vijave të frontit, një status neutraliteti për Ukrainën jashtë NATO-s me kapacitete të reduktuara ushtarake, si dhe riintegrimi gradual i Rusisë në sistemin ndërkombëtar në këmbim të garancive të kufizuara të sigurisë. Për Evropën, kjo krijon një sfidë të paprecedentë: jetesë për vite në kufijtë e një Rusia të fuqizuar dhe një Ukraine të dobësuar, ndërkohë që balanca e sigurisë e ndërtuar pas vitit 1945 duket se po shembet. Në këtë kontekst delikate, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballet me dy skenarë të vështirë.
Nëse Zelensky pranon planin
Një “po” do të sillte menjëherë një armëpushim, por do të institucionalizonte humbjet territoriale, duke “ngrirë” pushtimin rus në formën e një status quo-je të re. Ukraina do të mbetej me një ushtri të zvogëluar dhe me garanci sigurie të kufizuara, ndërsa Rusia do të fitonte jo vetëm kontrollin e territoreve të pushtuara, por edhe një rrugë për t’u rikthyer gradualisht në skenën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë mund të shkaktojë përçarje të brendshme në Ukrainë, me akuza për kapitullim dhe zemërim në qarqet ushtarake. Për Evropën, pranim i planit do të thotë një kontinent më i ekspozuar, me barrë të rritur financiare dhe politike për mbështetjen e Ukrainës në një realitet të ri gjeopolitik.
Nëse Zelensky e refuzon planin
Një “jo” do të hapte një skenar tjetër të rrezikshëm. Refuzimi do t’i jepte SHBA-së një arsye për të reduktuar ndihmën ushtarake dhe ekonomike, ndërsa administrata amerikane përqendron vëmendjen në Paqësor. Rusia do të kishte hapësirë të shtonte presionin ushtarak, duke argumentuar se Ukraina po humbet kohë dhe terren. Brenda Ukrainës, situata e brishtë politike dhe ekonomike mund të përkeqësohej. Ndërkohë, Evropa do të përballej me dilemën e mbështetjes së një lufte për të cilën nuk ka kapacitetet e nevojshme ushtarake dhe nuk ka unitet politik. Me SHBA-në që largohet dhe Evropën që lëkundet, konflikti mund të përshkallëzohet në një krizë rajonale të paparashikueshme.
Evropa në udhëkryq
Pavarësisht se cilin variant zgjedh Ukraina, Evropa mbetet në një pozitë të pafavorshme. Ajo nuk po vendos, por po reagon, e papërgatitur për një botë ku garancia amerikane e sigurisë nuk është më e sigurt. Plani me 28 pika është më shumë se një propozim për fundin e luftës në Ukrainë: ai shënon fundin e një epoke në të cilën stabiliteti evropian mbështetej në ShBA-të. Për herë të parë pas dekadash, Evropa duhet të përballë pyetjen që ka shmangur: a mund dhe a do të marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet? Plani i ri amerikan e shtyn kontinentin të japë përgjigje shumë më shpejt nga sa kishte menduar.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb