“Të dëshiroj si i çmendur, je më e bukura e fshatit”/ 45-vjeçari tha se u rrah për një “like”, motra e policit nxjerr mesazhet: Më ka përndjekur!
Pak ditë më parë, Altin Meçaj përfundoi në spital, duke deklaruar se ishte dhunuar nga tre persona në oborrin e banesës së tij në Fier. Meçaj akuzonte punonjësin e policisë, Fredi Lamaj, duke pretenduar se incidenti kishte lidhje me një koment që Meçaj i kishte bërë motrës së tij në Facebook.
Të premten, motra e Fredi Lamaj ka dalë publikisht për të hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur të pavërteta. Ajo ka publikuar gjithashtu disa nga mesazhet e dërguara nga Meçaj, të cilat i përshkruan si të papërshtatshme dhe ngacmuese.
“Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Meçaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta. Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet,” deklaroi ajo.
Motra e Lamajt theksoi se Meçaj i ka dërguar mesazhe private të shumta, të vazhdueshme dhe insistuese, duke e ngacmuar dhe përndjekur. “Dua të theksoj qartë se nuk kam pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve. Komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar, dhe kjo më ka shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare,” shtoi ajo.
Ajo konfirmoi gjithashtu se ka kallëzuar Meçajn për përndjekje, duke theksuar se sjellja e tij nuk ishte e izoluar, por sipas saj, e përsëritur edhe ndaj vajzave të tjera.
Nga ana e tij, Meçaj ka deklaruar se më 10 janar kishte marrë një mesazh ku i thuhej: “Nuk e di me kë je mpleksur”, dhe se pas mbërritjes në shtëpi, u përball me tre persona që sipas tij e sulmuan fizikisht, duke e lënë me plagë dhe duke e dërguar në spital. Ai kërkon drejtësi dhe tha se incidenti nuk duhet të përsëritet.
Reagimi i plotë i motrës së Fredi Lamajt:
Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.
Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.
Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.
Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.
Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.
Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.
Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.
Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.
Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.
Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.
Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.
Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Me respekt,
Motra e Fredi Lamaj
© BalkanWeb