Të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, Polonia arreston dy shtetas ukrainas dhe tre bjellorusë
Prokuroria e Polonisë njoftoi sot se ka arrestuar dy shtetas ukrainas dhe tre bjellorusë, të cilët dyshohen se vepronin me urdhra të shërbimeve të huaja të inteligjencës, në një periudhë kur Varshava paralajmëron për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar vendet që mbështesin Kievin.
Polonia pretendon se është vënë në shënjestër të zjarrvënieve dhe sulmeve kibernetike, të cilat i konsideron pjesë të “luftës hibride” që, sipas saj, Rusia po zhvillon për të minuar mbështetjen ndaj Ukrainës. Moska i ka mohuar këto akuza.
Të dyshuarit, Oleksandr.S dhe Sofia Ts., të përmendur si qytetarë të Ukrainës, si dhe bjellorusët Viktoria M., Anton M. dhe Vladimir.U, u arrestuan nga policia dhe shërbimet e inteligjencës më 25 dhe 26 nëntor, konfirmon prokuroria.
Sipas autoriteteve, aktivitetet e tyre përfshinin fotografimin dhe dërgimin e imazheve të infrastrukturës kritike dhe lokacioneve me rëndësi për sigurinë kombëtare gjatë vitit 2024 dhe muajve të parë të 2025.
“Për këto veprime, të dyshuarit paguheshin në kriptomonedha,” thuhet në njoftimin e prokurorisë. Spiunazhi në Poloni dënohet me 5 deri në 30 vite burg.
Tre nga të dyshuarit janë vendosur në paraburgim për tre muaj, ndërsa i mituri është dërguar në një qendër ndalimi për të mitur. Vladimir.U nuk u arrestua për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por iu ndalua dalja nga vendi.
“Hetimi lidhet me përfshirjen e personave… në aktivitete për llogari të shërbimeve të huaja të inteligjencës kundër Republikës së Polonisë, nga marsi 2024 deri në shkurt 2025, në Rzeszow, Varshavë, Lódź dhe zona të tjera,” thuhet në deklaratën e prokurorisë.
“Veprimet përfshinin fotografimin dhe shpërndarjen e imazheve të infrastrukturës kritike, si dhe vendosjen e posterëve dhe krijimin e grafiteve.”
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb