“Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”/ Kamberi: Marrëveshja me Italinë na kthen në momentet më të mira historike
schedule22:18 – 19 Nëntor, 2025
TIRANË- 16 marrëveshje u nënshkruan në mbledhjen e dy qeverive, asaj shqiptarë dhe italiane, javën e shkuar në Romë.
Për impaktin e këtyre marrëveshjeve si edhe rëndësinë e tyre, analisti Geron Kamberi tha për emisionin ‘Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, se marrëveshjet me Italinë na kthejnë në momentet më të mira historike.
“Nëse i kthehemi historisë pas pushtimit nga Italia u bë bashkimi i dy kurorave dhe Shqipëria e Italia u quajtën gati një shtet. Pra ka patur një periudhë bashkëpunimi shumë më të hershme që historia e ka vënë në një dritë të veçantë në varësi të rrethanave mbi të cilët ka kaluar kjo marrëdhënie. Interesi i Italisë ka qenë i hershëm kjo edhe për shkak të fqinjësisë gjeografike por edhe për shkak të interesave qoftë kur Roma ishte perandori, apo kur Italia u bë një shtet, pa hyrë thellë në histori është një traditë marrëdhëniesh që ka vijuar prej qindra vjetësh” tha Kamberi, ndërsa theksoi se Italia ka qenë një ndër sponsorizuesit e pavarësisë së Shqipërisë.
“Italia u caktua kujdestare e Shqipërisë në rajon edhe në vullnetin e Fuqive të Mëdha. Nga kjo pikëpamje u nënshkrua një marrëveshje në atë kohë me qeverinë shqiptare, që ishte traktati i Miqësisë i 27 nëntorit 1926 dhe vitin tjetër kemi 100 vjetorin e këtij traktati, ai traktat nënkuptonte se Itali do mbështeste Shqipërinë në shumë fusha.” -vijoi Kamberi, ndërsa foli për një rikthim të Italisë në prioritete të politikës së jashtme shqiptare.
“Krijimi i kësaj atmosferë që u kurorëzua me mbledhjen e dy qeverive tregon se Italia po synon që të japë një ritëm të ri të zhvillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe kjo është një fat jo thjesht për vendin por për gjithë rajonin”, shtoi Kamberi.
“Italia ka qenë gjithmonë afër Shqipërisë në momentet e saj më të vështira, kujtojmë eksodin, operacionin ‘Alba’ apo ‘Pelikani’. Me këto marrëveshje marrëdhënia e Shqipërisë me Italinë shpresoj të shkoj drejt një ndihme që karakaterizohet nga bashkëpunimi i ndërsjellë.”/abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

