“Të jap, më jep”! Analiza e Genc Burimit: Kush promovon qeverinë, Rama i bën pjesë të “kulaçit”, mediave kritike “kërbaçin”!
Nga Genc Burimi
Një pyetje të përcëllon buzët sapo mëson lajmin se Edi Rama ka vendosur t’i besojë (ish) gazetares Jonida Shehu një post në Kryeministri, me rrogë shteti, si këshilltare për mediat. A e konsideron Rama se po i drejtohet kazanit që ta këshillojë mbi kazanin?
Duket si e pabesueshme. Rama nuk ka nevojë për këshilla për asgjë dhe aq më pak për diçka që ai e përbuz prej kohësh, siç janë mediat, të cilat gjithmonë i ka fyer me epitetin “kazani”.
Po atëherë pse Rama mban me mediat këtë marrëdhënie kaq ambigue, të denjë për sindromin e Stokholmit tek një i burgosur? Emërimi i Jonida Shehut në Kryeministri nuk është rast i izoluar. Është i njëjti motivacion për kryeministrin si ai kur bëri deputete ish-gazetaren Iris Luarasi, apo kur bëri ambasador Mustafa Nanon. Është dëshira e pashtershme për t’i nënshtruar mediat, me hir apo pa hir.
Nëpërmjet kërbaçit, me operacione arrestimi gazetarësh, me dëbime mediash nga godinat e tyre, apo me gjoba dhe kontrolle fiskale ndaj pronarëve të mediave të pabindura. Por Kryeministri di të përdorë edhe “kulaçin”, duke i bërë gazetarët deputetë, ambasadorë apo nëpunës të lartë shtetërorë. Kulaçi merr në këtë rast vlerën e llotarisë amerikane. Fati mund t’i bjerë në derë çdo gazetari që ka refleksin e duhur të mos i bjerë fatit me këmbë. Nëse ai nuk e kritikon qeverinë dhe, më mirë akoma, nëse ai mbron dhe promovon “arritjet” e qeverisë, atëherë gjithçka është e mundur në karrierën e tij. Sindromi i Kazanit shndërrohet kështu në binomin “të jap, më jep”.
Kjo që bën Rama nuk është fare origjinale. Fatkeqësisht, liderë të tjerë, në vende jo vetëm autoritare – pasi aty kërbaçi “mjafton” – por edhe në ato me regjime demokratike, ndodh të kenë të njëjtin sindrom ndaj mediave dhe gazetarëve, si t’ua bëjnë për vete këtë të “keqe të nevojshme”. Ajo që është origjinale dhe e veçantë në këtë marrëdhënie është rezistenca e gazetarëve, si ndaj shkopit ashtu edhe ndaj karotës së pushtetmbajtësve.
Në një nga intervistat e fundit të Jonida Shehut në një emision të Çim Pekës, duke komentuar situatën aktuale në Shqipëri, ajo i bëri një analizë të detajuar mekanizmit të “testit” të institucioneve dhe njerëzve (“Çim Peka Live”, 1 dhjetor 2025). Sipas saj, të gjitha institucionet në Shqipëri janë në një moment testimi përballë dosjes Balluku. Në testim, sipas Jonida Shehut, është SPAK-u, është Gjykata Kushtetuese, është qeveria, është e gjithë klasa politike, bile edhe opinioni publik si institucion më vete. Analiza e saj do të kishte qenë edhe më shteruese, nëse do ta kishim ditur në atë moment aktin që do të ndërmerrte vetë Jonida dy muaj më vonë: në gjendje testimi në Shqipëri janë edhe gazetarët. Sa u rezistojnë ata sirenave (në kuptimin homerik) të pushtetit?
Fill para një viti, pak javë përpara se të ndërronte jetë, Papa Françesku u drejtohej me një fjalim solemn gazetarëve në të gjithë botën. Një fjali tërhoqi vëmendjen në atë thirrje: “Zanati juaj është më shumë se një profesion, gazetaria është mision”. Më pas ai e shtjelloi: “Një gazetar i lirë e bën gjithë shoqërinë edhe më të lirë”.
Pyetje: çfarë do të ndodhte me një shoqëri sikur të gjithë gazetarët të vepronin si Jonida Shehu?
© BalkanWeb