Te Milan “fërkojnë duart”, plotë 60 mln euro arkëtime nga lojtarët e huazuar
Merkatoja ka vetëm pak ditë që është mbyllur, por në shtëpinë e Milanit, vijojnë të mendojnë për të, kjo pasi kuqezinjtë kanë mundësinë që në fund të këtij sezonit, të arkëtojnë afro 60 mln euro, nëse do të aplikohet e drejta e blerjes nga klubet ku lojtarët e “Djallit” janë të huzazuar momentalisht.
Një nga emrat që përlitet më së shumti është ai i Samuel Chukwueze. Sulmuesi nigerian, aktualisht i huazuar te Fulham, po bind në Premier League me 13 ndeshje dhe 3 gola dhe klubi anglez po vlerëson seriozisht blerjen e tij për 30 milionë euro, shifër që do të përforconte ndjeshëm financat e kuqezinjve.
Të ardhurat mund të rriten edhe më tej falë Alex Jimenez, që do të blihet pas sezonit: nga vlera prej 20 milionë eurosh, gjysma do t’i shkojë Milanit. E sigurt edhe situata e Tommaso Pobega, blerja e të cilit nga Bologna do të bëhet automatike, ndërsa për Lorenzo Colombo pritet vetëm konfirmimi i mbijetesës së Genoas.
Këtyre shifrave mund t’u shtohen edhe të ardhura nga shitje të tjera të mundshme dhe nga kualifikimi në Champions League, faktor vendimtar. Nëse gjithçka shkon sipas planit, vera e Milanit pritet të jetë shumë aktive, me objektivin për të përforcuar skuadrën me një sulmues qendre dhe një mbrojtës qendror në merkaton e ardhshme verore.
© BalkanWeb