“Të tjerët nuk punojnë për integrimin, quajnë vendin narkoshtet jashtë kufijve”, Rama propozon zvogëlimin e Parlamentit: Kemi 140 vetë, mund të reduktohet në 100
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i ka drejtuar akuza opozitës dhe Partisë Demokratike, duke theksuar se përpjekjet e qeverisë për integrimin në BE po pengohen nga kundërshtarët politikë.
“Puna jonë nuk pret. Do ishte qershi mbi tortë nëse të tjerët do të ishin të interesuar të bënin të njëjtën punë për integrimin në BE. Nuk janë të interesuar, përkundrazi angazhohen që me çdo mjet të përcjellin jashtë kufijve të Shqipërisë një imazh negativ, duke e paraqitur vendin si narkoshtet,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë, por se opozita nuk ka shfaqur dëshirë për dialog të sinqertë: “Asnjëherë nuk mbyllim derën. Duan të japin alternativë, le të vijnë. Për të tjerat rrugët ndahen: ne përpara, ata mbrapa. Sa më mbrapa të mbeten, aq më e fortë do të vijë jehona e lehjes së tyre,” tha Rama, duke përdorur metaforën “lehje qeni” për të përshkruar veprimet e opozitës.
Kryeministri gjithashtu propozuar krijimin e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se Parlamenti shqiptar mund të racionalizohet në numër: “Kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund ta kishim me 100 vetë. Publiku do ta mirëpriste këtë dhe do të racionalizonte forcat,” tha Rama.
Fjalimi i tij vjen ndërsa qeveria po përballet me kritika nga opozita dhe partnerët ndërkombëtarë mbi funksionimin e institucioneve dhe transparencën në vendimmarrje, duke shfaqur angazhimin e mazhorancës për reforma dhe modernizim të strukturave parlamentare.
© BalkanWeb